Portofol

“Qytetarët e përballojnë”. Sinjalizimi: Çmimi i ujit të rritet

Fatura mujore e konsumatorëve familjarë të ujit mund të rëndohet përgjatë këtij viti. Enti Rregullator i Ujit ka publikuar raportin vjetor, ku veç problematikave që hasen në ujësjellësat e gjithë vendit, nënkupton rritjen e çmimit me arsyetimin e përmirësimit të shërbimit dhe ekzistencës së aftësisë paguese nga ana e qytetarëve.

“Ka ende hapësirë në drejtim të aftësisë paguese për të përballuar rritjen e tarifave”, thuhet në raportin e ERRU.

Një prej kritereve kryesore që përdoret në përcaktimin e çmimit të ujit është ai i përballueshmërisë nga ana e qytetarëve. Por si përllogaritet ky kriter? ERRU u referohet të dhënave të publikuara nga INSTAT dhe fatura maksimale për qytetarët mund të arrijë deri në nivelin 5 për qind të shpenzimeve mesatare mujore të një njësie ekonomike familjare.

Njësia ekonomike familjare ndryshon nga qarku në qark, e po ashtu edhe të ardhurat mujore të të punësuarve të një njësie. Tirana ka shpenzimet mesatare mujore më të larta. Sipas INSTAT, në vitin 2017 të shpenzimet mesatare për një njësi ekonomike familjare në kryeqytet ishin rreth 88 mijë lek.

Shpenzimet mesatare mujore per 2017 sipas INSTAT

Fatura mujore varet me sasinë e konsumuar, por mbi bazën e këtyre shpenzimeve dhe kriterin e përballueshmërisë në nivelin 5 për qind të një njësie ekonomike familjare me logjikën e ERRU fatura e ujit në Tiranë mund të rritet deri në 4400 lek. Ky është niveli i faturës i zhveshur nga taksat vendore, pasi nëse në të do të përfshiheshin edhe këto taksa, fatura mujore do të tejkalonte 6 mijë lekët.

Qarku i Dibrës ka shpenzimet mesatare mujore për njësi ekonomike familjare më të ultat në rang vendi. Niveli i tyre është rreth 48 mijë lek. Sipas nivelit 5 për qind të kriterit të përballueshmërisë, qytetarët e këtij qarku janë në gjendje që të paguajë deri në 2400 lek faturën mujore vetëm për ujin.

Enti thotë se trajtimi i problematikës së përballueshmërisë, bazuar në informacionin e siguruar nga INSTAT është mënyra më objektive,

“Mënyrë e cila jep një tablo më të qartë edhe të reagimit të pritshëm nga publiku kur propozohet rritja e tarifave, si dhe të ndërtimit të politikave sociale nga qeveria qendrore dhe ajo lokale”, thuhet në raportin e Entit.

Përgjatë 2018-ës, Enti Rregullator i Ujit miratoi rritjen e tarifave në ujësjellësat e 8 bashkive dhe aktualisht është duke shqyrtuar kërkesat e 11 bashkive të tjera po për rritjen e këtyre tarifave.

Me ndarjen e re administrative dhe ndryshimet ligjore, Ujësjellësat janë shndërruar në kompani SH.A, ku në pjesën dërrmuese të tyre aksioneret kryesore janë bashkitë. Përveç bashkive të mëdha, që janë në gjendje të mbulojnë kostot e shërbimit, bashkitë e tjera thonë se e kanë të pamundur që me të ardhurat e veta të sigurojnë furnizimin normal të qytetarëve, jo më të investojnë. Për këtë, një pjesë e madhe e ujësjellësave kanë nevojë për subvencionim nga ana e qeverisë.

“Konstatohet se shumë shoqëri janë në vështirësi objektive financiare, nevoja për subvencione nga qeveria është e domosdoshme për një periudhë më afatgjatë. Subvencionet duhen adresuar drejt shoqërive që janë financiarisht të dobëta dhe nuk kanë ende mundësis që të përballojnë kostot e domosdoshme për kryerjen e shërbimeve”, thotë raporti i ERRU.

Qeveria zotohej se me kalimin e ujësjellësave në administrim nga pushteti vendor do të përmirësohej si performanca financiare, ashtu edhe shërbimi për qytetarët. Por, në tre vitet e fundit, siç konfirmohet edhe në vetë raportin e ERRE-s asgjë s’ka ndryshuar. Mbledhja e faturave është në nivelin 79 për qind, po aq sa në 2016 dhe 2017, ndërsa numri i padive të ngritura nga qytetarët ndaj ujësjellës-kanalizimeve është rritur ndjeshëm, ku 80 për qind e tyre ndaj UK së Tiranës, kryesisht për mbifaturim dhe faturim aforfe, si dhe për ndryshimet e shpeshta të aparateve matëse. I vetmi përmirësim i lehtë është ai i reduktimit të humbjeve në rrjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë