Arsim

“Quo vadis universitas”

Mes universitetit dhe jetës reale sot të ndan vetëm një fije e padukshme. Sepse më shumë sesa për objektivat e programit studimor, apo kërkimin shkencor, sot impenjimi po shkon për epokën e re; didaktikën online, ku studenti bëhet “njësh” me mësimnxënien nga kudondodhet. Nuk ka nevojë për auditor, nuk e penalizojnë (detyrimisht) mungesat në leksione apo seminare dhe merr pjesë në klasat ”virtuale”, ngado. Mjafton të ketë një celular të ngarkuar me giga interneti dhe të jetë “aktiv” dy orë mbasditeve gjatë orarit të mësimit…

Foto; Studentja Johana Gj. duke ndjekur mesimun online

…Johana Gj. është një nga studentet në vitin e parë master që ndjek shkollën për Inxhinieri Informatike në UET. Ajo u njoftua me email nga Universiteti për masat e befta të qeverisë, për mbylljen e shkollave dhe kthimin e mësimit online.

Prej datës 9 mars, ajo njoftohet po me email nga çdo pedagog i secilës lëndë për ndjekjen e leksioneve online përmes një linku në programin Microsoft Teams. Kjo platformë shërben për të realizuar mësimin në distancë, në kushtet e qëndrimit në shtëpi, për shkak të Covid-19. Mësimi zgjat dy orë çdo ditë mbasditeve, (para datës 9 mars ishte tre orë). Shpjegon gjithashtu se temat e eseve publikohen në sistemin LMS (Learning Management System), më pas studentët kanë mundësi për t’i ngarkuar sërish po aty.  

Për pikët e seminarit, secili prej pedagogëve vlerëson në varësi të angazhimit të studentëve në leksionet online dhe/ose nëpërmjet mini-detyrave apo projekteve sipas rastit.

Duke folur për gazetën “Si”, Johanës sapo i ka mbërritur një tjetër email ku njoftohet se për këtë semestër (kanë hyrë në të dytin) provimi i ndërmjetëm do të zhvillohet së bashku me provimin përfundimtar.

A has probleme me internetin? Sa giga harxhon në ditë, duke u futur në klasat online? Ajo nuk futet tek ajo përqindje studentësh që e kanë këtë problematikë. “Studioj nga shtëpia sepse edhe orari është i favorshëm (17.00-19.00). Prindërit bëjnë një pagesë mujore për internetin, gjë që nuk më pengon të llogaris se sa shpenzoj…”

Foto; Bashkebisedim mes pedagogesh, Universiteti "Luarasi"

“Online”

Nevoja për të përdorur mësimin në distancë, si pasojë e mbylljes së shkollave për parandalimin e përhapjes së Covid-19 i kapi universitetet deri diku pa direktiva të detajuara dhe të qarta sa kohë që sistemi shkollor në përgjithësi është i mësuar pjesërisht në përdorimin e teknologjitë mbështetëse.

“Si të gjitha shkollat edhe Universiteti “Luarasi”, nuk ishte i përgatitur për një ndërmarrje të tillë. Farmirësisht grupi i pedagogëve të Fakultetit të Teknologjive të Informacionit dhe Inivacionit u vu në lëvizje për të ndërtuar platformën e mësimit në distancë. U përshtatën softuerët, u ndërtuan programe “demo” për të aftësuar pedagogët e pastaj studentët. Nuk ka qënë një gjë e lehtë, por platforma që u ngrit nga ne, shumë shpejt u bë e aksesueshme nga stafi akademik dhe studentët”, - thotë për gazetën “Si”, Prof.Dr. Et’hem Ruka, Rektor i Universitetit “Luarasi”. Platforma elektronike, sipas tij, u ka krijuar mundësi të përdorin forma të ndryshme të komunikimit. “Çdo ditë fakultetet ndjekin ecurinë e mësimit deri te marrja e mungesave”. Si do të menaxhohet me provimet?  “Tani kemi ndërtuar disa skenare për provimet e mbartura, provimet e mbetura të ekuivalentimeve… etj. Kjo do të varet nga kohëzgjatja e karantinës”.

Foto; Prof.Dr. Tonin Gjuraj, Zv.Rektor për proçesin mësimor akademik në UET

Ndërsa Prof.Dr. Tonin Gjuraj, Zv.Rektor për proçesin mësimor akademik në Universitetin Europian të Tiranës duket i komportuar mirë me teknologjinë sa kohë që UET ka përdorur platformat online që prej vitit 2016, si mjete plotësuese të mësimit të zhvilluar në klasë.

Kjo parapërgatitje, sipas tij, ka lehtësuar ndjeshëm përballimin e situatës së krijuar nga Covid - 19. Gjatë kësaj periudhe gjithçka në UET zhvillohet online. Përmes platformës “Microsoft Teams”, realizohen të gjitha mbledhjet administrative dhe akademike,  duke përfshirë mbledhjet e departamenteve, mbledhjet e Rektoratit, takimet e klubeve studentore, si edhe seancat metodologjike për studentët që kanë punim diplome, në Bachelor dhe Master, madje dhe mbrojtje në departament të punimeve të doktoratës.  Pse kjo platformë?

 “Microsoft Teams’ mbulon mbi të gjitha një hapësirë të sigurtë”, vëren ai  ”…Ju mund të përdorni veçori tepër funksionale si bashkëpunimi i dokumenteve, biseda një-në-një, biseda në ekip/grup, dhe më shumë”.  

Problematika

Komportimi që pedagogët po bëjnë me teknologjinë nuk ka të njëjtën gjatësi vale me politikat e ministrisë së Arsimit në këto kohë koronavirusi. Gjuraj nënvizon përmes një komunikimi me gazetën “Si” se ka disa vështirësi që duhen zgjidhur në bashkëpunim me MASR. “Deri tani me këtë institucion, ne kemi shkëmbyer informacion mbi ecurinë e punës në UET, falë platformave të mësipërme (raport i detajuar drejtuar zv.ministrit Rrumbullaku), por urgjentisht lipset një startegji se si do të dilet nga kjo situatë dhe si do të zgjidhen, të paktën, sipas meje, tre probleme, brenda këtij viti akademik”

Cilat janë?

“Çështja e praktikave studentore nëpër institucione, të cilat tashmë janë të mbyllura;

Çështja e akreditimit dhe/ose akreditimit periodik të programeve të ndryshme të studimit, apo institucionale, proçes i cili është bllokuar dhe ende nuk kemi ndonjë udhëzim apo urdhër sesi do të vijohet”. Sipas tij, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë  (ASCAL) dhe Bordi i Akreditimit (BA) duhet t’i përgjigjen sa më parë një preokupimi të tillë dhe të punojnë me platformat on line, në përputhje me praktikat dhe ritmin institucioneve arsimore të larta private (IAL).

“Të njëjtën gjë, thotë Gjuraj, duhet të bëjë edhe Qëndra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), e cila rregjistron diplomat, që më pas të lëshohen prej IAL-ve”.

 “Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kemi një bllokim total të Institucioneve Arsimore të Larta (IAL) dhe një vendimmarrje e tillë i takon vetëm MASR-së”, nënvizon ai.      

Foto; Nje ceremoni diplomimi ne nje nga universitetet private

E ardhmja

…Johana nuk sheh ndonjë problematikë tek kjo formë mësimdhënie. Pedagogu, sipas saj, shpjegon njësoj si të ishin në klasë. Komunikimi me secilin pedagog të lëndës zhvillohet përmes një chat-i. Sa aktivë janë studentët? A humbet përqëndrimi dhe vëmendja përmes kësaj forme?

“Tani që po flasim, janë 23 studentë aktivë në klasë. Disa prej tyre kanë drejtuar pyetje përmes chat-it…”, përgjigjet ajo.

“Komunikimet me studentët të paktën mua më rezultojnë efektive”, shprehet pedagogia Zamira Çavo e Universitetit “Marlin Barleti” në një komunikim për mediat…

Në vend operojnë 26 institucione arsimore të larta private. Konkretisht; 10 universitete, 2 shkolla universitare, 10 kolegje universitare, 2 kolegje profesionale, dhe 2 akademi.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë, ka një debat të gjerë nëse sistemi arsimor i lartë (publik apo privat qoftë) po riskon të kthehet thjesht në një përcjellës nocionesh apo të dhënash bazë, pa mundur të kultivojë baziken, mendimin kritik tek të rinjtë.

A po riskon ky sistem online t’i mvishet kësaj problematike dhe më keq akoma të shndërrohet thjesht një kanal i thatë komunikimi si shkëmbim malli “jep e merr”?

Këtë do e tregojë koha. Dhe shpejt madje. Ajo që dimë me siguri është se Covid-19 është i përkohshëm. Ai që mbetet është Universiteti. Me gjithë problematikën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë