Qendra Kombëtare e Bizneseve ka bërë të ditur se duke u nisur nga problematikat e hasura nga subjektet tregtare ditët e fundit, për kryerjen me sukses të aplikimeve për depozitimin e pasqyrave financiare të vitit raportues 2021, afati i depozitimit të tyre do të shtyhet deri në datën 15 shtator.
2 gushti ishte afati i fundit të dorëzimit të bilanceve të vitit 2021.
Nga 17 korriku, dorëzimi i bilanceve, i cili kryhet përmes sistemit të E-Albania, ishte i pamundur, për të paktën një javë, duke krijuar shqetësime te subjektet që nuk po arrinin të kryenin këtë shërbim.
Subjektet duhet të presin orët e vona të natës që të arrijnë të dorëzojnë online pasqyrat financiare dhe dokumentet e tjera që kërkohen sipas ligjit.
Ministria e Financave njoftoi në 25 korrik se “Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania. Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar”, përfundon njoftimi i financave.
Nga ky vit, gjoba për mosdorëzim në afat është 60 mijë lekë, nga 15 mijë lekë që ishte më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.