Afati i fundit kur subjektet duhet të depozitojnë online pasqyrat financiare në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) është 31 korriku.
QKB ka njoftuar ndërkohë bizneset se subjektet duhet të regjistrojnë dhe depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar. Në të kundërt do të aplikohen sanksion administrativ gjobë, prej 15000 lekë.
Dorëzimi i pasqyrave financiare do të kryhet në formatin Excel, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.
Sipas manualit të përdorimit të publikuar nga QKB, në hapin e parë të aplikimit për depozitimin e pasqyrave financiare të dhënat e subjektit, NIPT, administratorit etj gjenerohen automatikisht nga sistemi nëpërmjet integrimit me sistemin e QKB. Ndërkohë plotësohen dhe të dhënat kategorinë e njësisë ekonomike, të ardhurat, numrin e punonjësve.
Hapi i dytë i aplikimit përbëhet nga 3 panele: 1. Profili i audituesit ligjor 2. Profili i degëve dhe filialeve të kompanisë 3. Formati i dokumentave.
Në rastin kur subjekti nuk i nënshtrohet auditimit ligjor të detyrueshëm përdoruesi duhet të plotësojë vlerat për fushat Aktiv, Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike dhe Nr mesatar i punonjësve për periudhën raportuese.
QKB paralajmëron bizneset të bëjnë kujdes, pasi dokumentet pas ngarkimit do të verifikohen automatikisht nga sistemi për saktësinë e tyre.
Në hapin e tretë të aplikimit sistemi gjeneron automatikisht të dhënat mbi personin që kryen aplikimin nëpërmjet integrimit me sistemin DPGJC. Aplikimi duhet të kryhet nga njëri prej administratorëve të kompanisë.
Në hapin e katërt të aplikimit shfaqet lista e dokumenteve shoqërues që përdoruesi duhet të ngarkojë në sistem.
Në hapin e fundit të aplikimit përdoruesi mund të shkarkojë dokumentin pdf të aplikimit duke klikuar butonin Shkarko në rastin kur duhet të nënshkruajë aplikimin offline dhe e ngarkon përsëri në sistem ose ngarkon aplikimin e panënshkruar elektronikisht.
Përdoruesi klikon butonin “Dërgo” për të dërguar aplikimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.