Biznes

Qiratë s’falen, paguhen pas majit. Ngrin dhe ekzekutimi i vendimeve të gjykatave

Pagesat e qirave për studentë, familjarë dhe bizneset e vogla ngrijnë për muajt prill dhe maj. Ndryshimet në aktin normativ për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19 janë botuar në Fletoren Zyrtare dhe kanë hyrë në fuqi.

Sipas këtij vendimi, të gjithë studentët, familjarët dhe bizneset me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë që kanë një kontratë qiraje të nënshkruar para hyrjes në fuqi të gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk do ta paguajnë qiranë sipas kontratës së nënshkruar para hyjres në fuqi të gjendjes së shpalljes së epidemisë.

Por, kjo nuk do të thotë falje. Për të treja këto kategori, pra për studentë, familjarë që kanë një kontratë pune dhe bizneset e vogla, që kanë kontratë noteriale qiraje të nënshkruar para shpalljes së gjendjes së epidemisë dhe kanë ndaluar aktivitetin si pasojë e masave kundër koronavirusit, pagesa do të shtyhet në kohë pas majit 2020. Akti normativ ja lë në dorë qiramarrësit dhe qiradhënësit që të gjejnë dakordësinë “në mënyrë proporcionale”, ndërsa për ato kontrata që përfundojnë para 31 majit, detyrimet duhet të shlyhen brenda tre muajve pas kësaj date.

“Detyrimi i prapambetur i këtyre dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi, në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin, pas muajit maj 2020. Për ato kontrata që përfundojnë përpara afatit 31 maj 2020, detyrimi i prapambetur do të paguhet nga qiramarrësi brenda tre muajve pas datës 31 maj 2020”, thuhet në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare.

Po në këtë vendim përcaktohet se qiramarrësit e përcaktuar që përfitojnë nga këto ndryshime e të cilët kanë ankesa se qiradhënësi nuk zbaton detyrimet e mësipërme, mund t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve përmes komunikimit elektronik, ndërsa paralajmërohet gjobë e majme për qiradhënësit që nuk e zbatojnë vendimin.

“Qiradhënësit, të cilët nuk e zbatojnë këtë pikë, dënohen me gjobë në masën e pesëfishit të qirasë mujore përkatëse”, përcakton akti normativ i ndryshuar.

Gjithashtu, Qeveria ka pezulluar edhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, duke filluar që prej datës 2 prill, kur është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi vendimi. Sipas këtij vendimit, të gjithë përmbaruesit, shtetërore dhe privatë duhet të pezullojnë veprimtarinë e tyre të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij akti.

Nga ky rregull përjashtohen vendimet që lidhen me çështje familjare me objekt kujdesin dhe respektimin e të drejtave të të miturve, vendimet për urdhër mbrojtjeje, vendimet për masat e sigurimit të padisë në çështje administrative e civile, ndërmjetësimi në zgjidhjen e mosmarrëveshjejve penale, kur në mes janë të miturit dhe nëse është e domosdoshme shmangia e dëmtimit të masës së falimentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë