Menaxhim

Qeveritë duhet të nxisin kursimet e energjisë dhe jo ta subvencionojnë atë

Kufiri i çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike ose subvencionet direkte nuk do të ulin kostot e përgjithshme të energjisë për qytetarët europianë, por ato do t’i përkeqësojnë gjërat, sipas një analize nga instituti europian CEPS.

Në vend të kësaj, Daniel Gros, autor i studimit “Pse kufiri i çmimit të gazit dhe subvencionet e konsumatorit janë të dyja jashtëzakonisht të kushtueshme dhe të kota”, i propozon Bashkimit Europian që të inkurajojë vendet anëtare që t’u japin konsumatorëve nxitjen e duhur për reduktim të konsumit të tyre.

Synimi kryesor nuk duhet të jetë subvencionimi i çmimeve të gazit ose energjisë, por kursimet e energjisë, tha ai.

Dokumenti thotë se çmimet ekstreme të gazit po reduktojnë fuqinë blerëse të familjeve dhe po rrisin kostot për industrinë. Ajo i vë qeveritë e BE-së nën presion politik dhe rezultati janë skema të ndryshme mbështetëse. Vlen të përmendet se kufijtë e çmimeve u prezantuan nga Kroacia dhe Rumania, ndërsa Bullgaria dhe Greqia paguajnë subvencione. Ekziston gjithashtu një nismë për të kufizuar çmimet e gazit në Europë.

“Por realiteti është se çmimet e larta të gazit përbëjnë një barrë të madhe për Europën, duke qenë se 90% duhet të importohet dhe kjo taksë duhet të përballohet nga dikush. Nëse nuk është konsumatori, duhet të jetë tatimpaguesi (shpesh i njëjti person). Vetëm shumë pak liderë kanë qenë mjaftueshëm të guximshëm për ta pranuar këtë realitet”, thuhet në raport.

Gjëja që asnjë qeveri e BE-së nuk ka guximin të thotë është se subvencionimi i konsumit të gazit vetëm sa do ta përkeqësonte problemin.

“Çdo masë që nuk synon reduktimin e konsumit do të thotë një import më të lartë të gazit dhe ka më shumë presion ndaj çmimeve. Kështu ajo futet në një rreth vicioz që kërkon masa të tjera shtesë. “

Çmimet e kufizuara të elektricitetit japin një efekt të njëjtë.

Propozimi tjetër i tij është të inkurajojë kursimet e energjisë duke u ofruar familjeve një kufi çmimi vetëm për një sasi të kufizuar bazë për frymë dhe të ngarkojë çmimin e plotë të tregut për çdo sasi të konsumuar mbi këtë nivel, një fashë.

“Përfundimi i gjerë është se subvencionimi i çmimit të gazit apo energjisë elektrike nuk ka kuptim. Komisioni Europian duhet t’i kundërshtojë ashpër dhe duhet t’u rekomandojë shteteve anëtare që në vend të kësaj të lëvizin pas subvencioneve të kursimeve,” këshilloi Gros. /Balkanenergynews


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë