Menaxhim

Qeverisë i duhen 1.2 mld euro për të kthyer Shqipërinë në një qendër inovacioni

Nga Gazeta 'SI' - Një strategji e re e qeverisë synon të kthejë Shqipërinë në qendër të inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Dokumenti në konsultim, i publikuar nga ministria e Ekonomisë, thekson se pas një analizë, rezultoi se Shqipëria ka potencial konkurrues në fushën e bujqësisë, energjetikës, turizmit, teknologjisë dhe industrisë, duke i bërë kështu fushat prioritare të kësaj strategjie.

Më konkretisht, janë 5 objektiva që synon strategjia, nisur me përmirësimin e arsimit në drejtim të inovacionit, specifikisht në në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), për të përgatitur një fuqi punëtore të aftë për sfidat e ekonomisë digjitale dhe të gjelbër.

Fuqizimi i të Rinjve dhe Mbajtja e Talenteve është targeti i dytë i strategjisë,  me qëllim krijimin e kushteve që të rinjtë shqiptarë të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të ndihen të motivuar të qëndrojnë në vendlindje. Këtu përfshihen edhe incentivat e nismës së qeverisë, për të rikthyer diasporën në Shqipëri.

Mbështetja e transformimit digjital dhe përmirësimit të lidhjeve digjitale në sektorët publik dhe privat është një tjetër qëllim.

Pika e katërt përfshin përmirësimin e kapaciteteve kërkimore dhe nxitjen e inovacionit për të mbështetur sektorët prioritarë. Kjo fushë synon të forcojë lidhjet ndërmjet akademisë dhe biznesit, si dhe të përmirësojë transferimin e teknologjisë dhe përmirësimin e procesit të komercializimit të ideve inovative.

Angazhimi i Diasporës - Rritja e Kapitalit Njerëzor, Teknologjisë dhe Kulturës është objektivi i pestë i strategjisë ku qeveria projekton kthimin e talenteve dhe fuqizimin e lidhjeve ekonomike me tregjet ndërkombëtare.

Shënuar me emrin S3, strategjia për Specializimin Inteligjent do të kushtojë 1.18 mld euro. Nga këto, 424 milionë euro ose 35.7% do t’i paguajë buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër do të mblidhen nga donatorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë