Menaxhim

Qeveria zgjat për herë të 8 ligjin e investimit strategjik. Statusin e merr çdokush me projekte 50 mln euro

Nga Gazeta 'SI' - Socialistët kanë propozuar një shtyrje tjetër të ligjit për investimet strategjike, duke e lënë atë atë në fuqi deri më 31 dhjetor 2026.

Projektligji që mban firmën e deputetes së PS-së, Pranvera Resulaj, argumenton se ka kërkesa që janë ende në proces dhe interes të lartë nga investitorët dhe prandaj afati që përfundon e 31 dhjetor 2024, duhet të shtyhet me 2 vite. Kjo është hera e tetë që shtyhet efekti i këtij ligji nga 2016-a.

“Duke qenë se interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për këtë paketë ligjore, fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10-vjeçarin e fundit dhe me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit te paraqitjes së kërkesave deri me datën 31 dhjetor 2026”, - thuhet ndër të tjera në relacion.

Resulaj propozon që statusin për investitor strategjik ta përfitojnë të gjithë ata që investojnë një kapital prej 50 mln eurosh apo më shumë edhe nëse nuk prek fushat që synon ligji. Ligji konsideron strategjikë sektorin energjetik dhe minerar, transportin, turizmin, bujqësinë apo peshkimin, ndërsa vendos kritere mbi vlerën e investimit për të përfituar statusin, sipas secilit sektor.

Sipas relacionit të Resulajt, nga viti 2016 e deri tani janë trajtuar 108 projekte investimi, prej të cilave 48 kanë përfituar status strategjik, 30 projekte janë refuzuar, ndërsa 31 të tjerë janë në fazë vlerësimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë