Ekonomi

Qeveria synon të nxisë biznesin, por sakrifikon pronën publike

Qeveria ka miratuar një VKM që lehtëson procedurat për një subjekt që të kërkojë privatizimin e një prone shtetërore fqinje me pronën e tij sipas një plani zhvillimi biznesi. Vendimi është marrë në mbledhjen e 11 dhjetorit. Ai nuk është pasqyruar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, por më 16 dhjetor hyri në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

VKM mban numrin 807 me titull “Për përcaktimin e kritereve dhe të kushteve për kalimin e pronës shtetërore në pronë private në funksion të planeve të përgjithshme vendore”.

Pika e parë thotë se pronari, ose pronarët e një prone privat, si dhe çdo subjekt zhvilluar që ka marrë të drejtën për të zhvilluar një pronë të tillë, gëzojnë të drejtën që të kërkojnë kalimin e sipërfaqeve të pronës shtetërore në pronë private nëse më parë plotësohen disa kushte.

Kushti i parë është që prona shtetërore të mos jetë transferuar në pronësi të pushtetit vendor. Në këtë rast, nevojitet pëlqimi i bashkive për të realizuar këtë proces. Së treti, kërkohet që prona shtetërore të kufizojë me pronën private që do të zhvillohet nga subjekti kërkues. Së katërti, VKM kërkon që zona ku ndodhet prona shtetërore të ketë planin e përgjithshëm vendor. Së pesti kërkohet që sipërfaqja e pronës shtetërore të mos jetë me e madhe se 20 për qind e pronës private ku do të zhvillohet prona.

Me të plotësuar këto kushte, subjekti privat dorëzon kërkesën për privatizimin e pronës shtetërore në Ministrinë e Financave. Kjo e fundit shqyrton dhe vlerëson kërkesën në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. VKM-ja përcakton si fakultativ verifikimin në terren nga strukturat e Ministrisë së Financave, duke e përqëndruar kontrollin vetëm tek dokumentacionet e dorëzuara nga institucionet e tjera që marrin pjesë në këtë proces.

Nëse strukturat e Ministrisë së Financave japin dritën jeshile për privatizimin e një prone shtetërore, atëherë dosja kalon në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, që është hallka e fundit që vulos dhe zyrtarizon të gjithë këtë procedurë.

Privatizimi kryhet përmes pagesave duke iu referuar çmimeve të përcaktuara në harta. VKM synon kryesisht të nxisë zhvillimin e bizneseve në bregdet, ku shteti ka edhe një prej fondeve më të mëdha të pasurive të patundshme, duke nisur që nga Velipoja e deri në Ksamil.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë