Menaxhim

Qeveria projekt për transformimin e metalurgjikut në Elbasan dhe pallatit ‘Asllan Rusi’

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria synon të transformojë dhe të rikthejë në punë ish-kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, duke e vënë në dispozicion të subjekteve private të interesuara.

Me anë të një vendimi, qeveria ngarkon Koroporatën e Investimeve Shqiptare për të identifikuar dhe konsoliduar planin e zhvillimit të kësaj zone me potencial të lartë industriale.

Korporata e Investimeve Shqiptare, do të ndërmarrë të gjithë masat për konsolidimin e pronës shtetërore, duke përfshirë bashkëpunimin me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, shoqëritë shtetërore dhe subjektet private për sqarimin e statusit juridik të pronave.

Paralelisht, do të hartohet një plan i detajuar qendror zhvillimi dhe një projekt konkret për zhvillimin e zonës, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

Afatet për përgjigjet nga institucionet përkatëse janë përcaktuar me 5 ditë nga marrja e kërkesës zyrtare nga KISH, ndërkohë që Ministria e Ekonomisë do të monitorojë dhe vlerësojë ecurinë e përmbushjes së detyrave.

Në një tjetër vendim, qeveria autorizon KISH si zhvillues të pronës së pallatit të sportit “Asllan Rusi”, me qëllim rijetësimin e kësaj godine dhe funksionit të saj.

Korporata, do të ndjekë të njëjtat procedura si edhe me ish-stadiumin Dinamo, ish-ATSH etj, në kuadër të nismës së qeverisë për të kthyer tokat shtetërore në biznese fitimprurëse. Kjo skemë investimi përfshin ortakëri shtet-privat, ku shteti ofron tokën dhe privati investimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë