Nga Gazeta ‘SI’- Ditën e sotme është prezantuar drafti i kodit të ri penal, i cili nuk është përfundimtar, pasi pritet të hidhet për diskutim publik.
I pranishëm gjatë prezantimit të këtij drafti ishte edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili i bëri ftesë edhe opozitës që të kontribuojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e diskutimit..
Manja shtoi se kodi i ri penal duhet të jetë në përputhje me standardet e unionit europian, teksa shtoi se në BE nuk hyn vetëm një forcë politike apo qeveria, por Shqipëria, prandaj sipas tij, duhet kontributi i të gjithëve.
“Ky draft nuk është një draft përfundimtar. Ky draft do të marrë të gjithë kohën e nevojshme të konsultimit publik. Ministria do të jetë vetëm palë e interesuar institucionale, si të gjithë të tjerët. Në funksion të një procesi të hapur, dëshiroj të ftoj të gjithë aktorët e drejtësisë dhe opinionit juridik të bëhen pjesë aktive e fazës së diskutimit publik të kodit të ri penal.
Ky është një moment kyç për të ndërtuar sëbashku një akt themelor të shtetit të së drejtës.
Ftoj të gjithë ekspertët e ligjit, shkollën e Magjistraturës, studentët shqiptarë që studiojnë brenda vendit apo në universitetet e huaja, mediat apo organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe një ftesë të veçantë dua t’ja dërgoj opozitës parlamentare, të kontribuajë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e diskutimit. Në BE shkon Shqipëria dhe jo vetëm një qeveri apo një forcë politike”, tha mes të tjerash Manja
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



