Menaxhim

Qeveria plan për uljen e aksidenteve dhe informalitetit në punë. Në fokus minierat, ndërtimi dhe bujqësia

Nga Gazeta ‘SI’ – Ulja e numrit të aksidenteve në punë dhe goditja e informalitetit janë qëllimet kryesore të qeverisë, shprehur në Planin 2024-2030.

Sipas dokumentit në konsultim aksidentet më të larta janë në sektorët ku ka evazion më të lartë, dhe sektorët që kanë numrin më të lartë të aksidenteve si ndërtimi, minierat, bujqësia dhe transporti do të jenë në fokus të kontrolleve dhe inspektimeve të detajuara, me qëllim garantimin e sigurisë në punë. Në total gjatë vitit 2023, u regjistruan 168 aksidente në punë, 30 me pasoja fatale për jetën, ku shumica ishin në sektorin e ndërtimit, industrinë prodhuese e miniera.

Inspektimet do të bazohen kryesisht në teknologji me synim ngritjen e një sistemi digjital për të dhëna për shëndetin në punë si dhe për të marrë sinjalizime për mosrespektim të kushteve.

“Vënia në zbatim e sistemit digjital të të dhënave për shëndetin në punë do ta qartësojë dhe bëjë më efikas procesin e menaxhimit dhe analizës së të dhënave të pacientit për mjekët e punës. Ky sistem do ta lehtësojë diagnostikimin efikas të sëmundjeve profesionale duke çuar në ndërhyrjen dhe trajtimin në kohë të problemit. Për më tepër, do të mundësonte monitorimin e rreziqeve dhe tendencave në mjedisin e punës për çështje të shëndetit në punë duke i ardhur në ndihmë politikë-bërjes bazuar në të dhëna”, thuhet në strategji.

Aty thuhet se do të krijohet dhe një regjistër kombëtar për lëndimet në punë dhe ngritjen e një grupi pune për të rishikuar sistemin e njoftimit, regjistrimit dhe njohjes për sëmundjet profesionale

Tjetër fokus, thuhet se do të jetë edhe goditja e fenomenit të nëndeklarimit të pagave.

“Sektorët të cilët janë veçanërisht vulnerabël ndaj informalitetit janë bujqësia, tregtia me shumicë dhe pakicë, ndërtimi, ku dhe nivelet e punësimit informal njohin përqindje të larta si mbi 84%”, thuhet në strategji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë