Ngjarje

Qeveria nuk vonon: Kontrollorët do të zëvendësohen me shqiptarë ose të huaj

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka deklaruar se Komiteti i Mbrojtjes Civile ka autorizuar ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku për të nisur zëvendësimin e kontrollorëve të “Albcontrol”-it.

Peleshi theksoi se gjatë mbledhjes së komitetit mbrëmjen e djeshme, është vendosur që të merren masat e nevojshme për rifillimin e punës në Rinas.

“Ministri i Mbrojtjes është edhe drejtues i Komitetit të Mbrojtjes Civile dhe kam thirrur në orët e vona një takim të Komitetit të Mbrojtjes Civile, – tha Peleshi për ‘Vizion plus”. – Ky Komitet, i përbërë nga disa ministra, ka marrë një vendim me tre pika. Pika e parë ngarkon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës”.

Ministri i Mbrojtjes tha se vendi nuk mund të mbetet peng i lojërave politike, aq më shumë priten ngarkesa të tjera me doza të vaksinave anti-Covid.

“Nuk mund të rrimë në vend, nuk mund të ngelemi peng i lojës politike, do të kryej deri në fund detyrën time si ministër, nisur nga rezultati i këtij Komiteti, – vijoi Peleshi. – Ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. Njerëzit kanë shumë pikëpyetje kur do të vijnë, kur do të ikin, priten vaksinat, e kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim.”

Autoriteti i Aviacionit Civil u ngarkua të marrë të gjitha masat e nevojshme për rifillimin gradual të operimit ajror dhe në rast nevoje, të liçensojë në mënyrë të përshpejtuar kontrollorët e trafikut ajror në përputhje me urdhrin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Niko Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë