Menaxhim

‘Qeveria në diskutime me vende të treta për fuqi punëtore’

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria shqiptare është në negociata me disa shtete për të rekrutuar punonjës dhe për të mbushur boshllëqet në tregun vendas të punës, sipas ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

 “Sigurisht adresimi i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar do të jetë pjesë e diskutimeve të ditës së sotme ku në fakt qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të rëndësishme me qëllim kualifikimin e fuqisë punëtore, por edhe me qëllim plotësimin e nevojave për fuqi punëtore edhe nëpërmjet marrëveshjeve që ne jemi duke nënshkruar me vende të treta”, tha Ibrahimaj.

Në mbledhjen e parë për këtë vit për konstituimin e Këshillit Kombëtar të Punës, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se do të vijojë më tej nisma e rritjes së pagës minimale, do të reformohet sistemi i pensioneve dhe miratohet statusi i minatorit.

Ajo tha se do të rishikohet dhe Kodi i Punës, si dhe do të prezantohet ligji i ri i nxitjes së punësimit.

 “Ligji për nxitjen e punësimit synon modernizimin e shërbimeve të punësimit, digjitalizimin e proceseve, forcimin e garancisë rinore, krijimin e observatorit të tregut të punës si instrument thelbësor për hartimin e politikave në këtë fushë, por edhe për ndjekjen e zbatimit të politikave në këtë fushë”, tha Ibrahimaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë