Ministrja e Financave, Anila Denaj deklaroi të hënën se pas tërmetit të 26 nëntorit Qeveria do të rishikojë buxhetin për vitin e ardhshëm, ndërsa Kryeministri Edi Rama zbardhi këtë të martë se nga do të sigurohen një pjesë e të ardhurave për t’u ardhur në ndihmë të prekurve të tragjedisë.
“Të bëhet një rishikim tërësor për bllokun e investimeve në buxhetin e 2020 për ti orientuar projektet në vazhdim. Pavarësisht se do të ishte receta e qeverive të shkuara dhe përveç projekteve që kanë të bëjë me ujitje dhe kullimin asnjë projekt tjetër i ri të mos bëhet”, deklaroi Kryeministri në mbledhjen e Qeverisë.
Zëri tjetër që do të preket janë shpenzimet administrative.
“Ka një zë që lidhet me të gjitha shpenzimet. Në vitin e ardhshëm nuk do të blihet asnjë makinë, nuk do të pajisjet asnjë zyrë. Do të bllokohen blerjet e makinave, dollapëve, koltuqeve, televizorëve në të gjithë bashkitë e vendit. Kush do të jetë keq për makinë të gjejë një kalë edhe nuk ka problem, kryetar bashkish me kuaj do të ishin një inovacion ekologjik, edhe sidomos kryetarët e njësive administrative do të ishin të mirëseardhur në komunitet”, deklaroi Kryeministri.
Rama ceku edhe tre propozimet e Lulzim Bashës për të përballur situatën. Ai i cilësoi ato “gajasje pa fantazi”.
“Deri tani jemi njohur me tre pika që do të qënkëshishin zgjidhja. Tre pikat janë ushqim për buzëqeshje, nuk dua të them gajasje se nuk dua të ndihen keq kolegët e opozitës. Por të thuash të mblidhen 500 inxhinierë, po pse 500 dhe jo 600? Pika e dytë, të bëhet urgjent identifikimi i dëmeve. Por, po bëhen. Edhe ajo pika e tretë është qamet, të mos financohen oligarkët. Edhe 150 mln të mos i marrin oligarkët. Po çfarë? Të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë, të ndalojmë dializën, financimin për instrumetet mjekësore, të marrim makina qepëse për të qepura barqe për ata që duhet të operojnë mëlçinë dhe t’u themi se kemi ca të pastrehë prandaj barkun po ua hapim me gërshërë dhe qepim me makinë qepëse?”, u shpreh Rama.
Megjithatë, Kryeministri përsëriti ftesën drejtuar Lulzim Bashës për t’u ulur në të njëjtën tryezë për përballimin e kësaj situate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.