Menaxhim

Qeveria ndan 84 mld lekë për gratë në programet sociale dhe e quan buxhetim gjinor

Nga Gazeta ‘SI’ – 9.5% e buxhetit të vitit të ardhshëm do t’i dedikohet buxhetimit gjinor, me qëllim krijimin e mundësive dhe kushteve të barabarta midis grave dhe burrave, në shoqëri. Kjo normë përkthehet në një fond prej 84 miliardë lekësh, 12 mld më shumë se një vit më parë.

Ndonëse qeveria e cilëson si buxhetim i përgjigjshëm gjinor, në fakt ky fond do të shkojë për gratë në programet sociale si p.sh ato që kujdesen për invalidët, gratë kryefamiljare dhe nënat e reja. Në këtë fond, përllogariten dhe pensionet që përfitojnë gratë 17.4 mld lekë.

Për vitin 2026 parashikohet që 6.15 mld lekë të shkojnë për pagesën e barrëlindjes për 14.329 nëna të reja, e drejtë që mund ta përdorin edhe burrat. 2.25 mld lekë do të jepen për 23 mijë bebe që pritet të lindin. 50 gra të dhunuara do të strehohen dhe do të përfitojnë nga shërbimet sociale për një buxhet prej rreth 150 mln lekësh.

Për herë të parë, nga viti i ardhshëm, shteti do të ofrojë falas ndërhyrjen për rikonstruksion të gjirit për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.

Qeveria synon të ndihmojë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në shërbimet e këshillimit, skemat e mbështetjes dhe vendimmarrjen në bujqësi, sektor që mbahet nga gratë, por drejtohet nga burrat. Synohet që me një buxhet prej 352 mln lekësh, të shtohen gratë në pozicione drejtuese dhe një pjesë e tyre të jenë dhe përfituese e subvencioneve.

Parashikohet që të shkojë në 26 numri i bizneseve të drejtuara nga gra që përfitojnë nga fondet e inovacionit dhe 30% përfitues gra në fushën e kulturës. Buxheti gjinor përbëhet nga 79.9 milion lekë për administratën, 58.6 milion lekë për SME të drejtuara nga gra dhe 170 milion lekë për programe kulturore që adresojnë çështje tËë barazisë gjinore apo mbështesin veprimtarinë artistike të grave dhe vajzave artiste.

Në kuadër të anëtarësimit në NATO, rritja e përfaqësimit të grave në forcat e armatosura dhe drejtim është një nga objektivat gjinorë që do të adresohen në fushën e mbrojtjes. Rezultatet e pritshme përfshijnë11.9% gra në Forcat Tokësore dhe 12.7% në Forcat Detare. Buxheti gjinor është 578 milion lekë për Forcat Tokësore dhe 185 milion lekë për Forcat Detare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë