Nga Gazeta ‘SI’ – Procesi i prokurimit nuk do të jetë më detyrë e ministrisë së Brendshme, por e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, një shoqëri shtetërore e sapokrijuar.
Vendimi u miratua nga qeveria, ndërkohë që ishte prezantuar si ide pak muaj më parë. Operatori do të jetë 100% shtetëror dhe përfaqësohet nga ministria e Ekonomisë. Institucionet me më pak se 15 punonjës do të bëjnë tenderime vetëm me vlerë të vogël, ose do t’i drejtohet organit qendror blerës.
Sipas projektligjit fillestar, Operatori i prokurimeve do të jetë me vetëfinancim, duke shtuar kështu edhe tarifa për shërbimet që do të japë. Përdorimi i sistemit elektronik do të kryhet kundrejt pagesës, që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.
Më pas, bizneset që fitojnë tenderin do të duhet ta sigurojnë atë deri në 10% të vlerës, para se të bëhet nënshkrimi final tek shoqëritë e sigurimit.
Sipas qeverisë, ky është një element garancie për institucionet publike në rastet e shkeljes së kontratës nga bizneset që fitojnë tenderat.
Në të njëjtin dokument, përmendet dhe një tjetër element me interes, ai i futjes së operatorëve privatë në të. Konkretisht, projektligji thotë se “institucionet publike ose private mund të ofrojnë atë që quhet veprimtari ndihmëse për prokurimin publik”. Me veprimtari ndihmëse nënkuptohet platforma elektronike ku mund të bëhen publikimet, konsulencë, përgatitje dhe zhvillim procedurash.
Po ashtu, në dokumentin e ri specifikohet që pjesë e këtij procesi mund të jenë edhe ente të huaja që e ofrojnë këtë shërbim.
Operatori do të funksionojë sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare të vitit 2008 dhe organet drejtuese janë Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit, Këshilli Mbikëqyrës dhe Drejtori. Ky i fundit emërohet dhe shkarkohet nga asambleja e përgjithshme e aksionarit dhe ajo do të fillojë punë brenda dhjetori 2023. Drejtori i kësaj shoqërie aksionare nuk ka afat mandati të përcaktuar për largim nga detyra vetëm kur jep dorëheqjen, del në pension, është i sëmurë ose shkarkohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.