Nga Gazeta ‘SI’ – Një studim i fundit i qendrës kërkimore ALTAX ka rikthyer dhe njëherë fokusin tek tregu i basteve sportive.
Studimi thekson nevojën për të plotësuar kuadrin ligjor për legalizimin e kësaj industrie, e cila operon tërësisht në “të zezë” për shkak të mosmiratimit të akteve nënligjore nga qeveria. Si rrjedhojë, mungesa e këtyre akteve ka lënë peng edhe garën për licencim duke sjellë pasoja direkte për vetë buxhetin e shtetit.
Sipas vlerësimeve të KLSH dhe Drejtorisë së Tatimeve, shteti humbet 7 deri në 12 miliardë lekë në vit për shkak të moslicencimit të operatorëve. Kjo përbën rreth 0.9% të të ardhurave tatimore kombëtare dhe prek drejtpërdrejt projeksionet e buxhetit 2025. Krahasuar me sektorin ligjor, tregu informal është shumë më i madh dhe operon jashtë çdo kontrolli institucional. Xhiroja e këtij segmenti vlerësohet në 150-250 milionë euro në vit, ose 18-30 miliardë lekë. Humbjet vjetore përputhen me vlerësimet e 7-12 miliardë lekëve në vit, ndërsa dëmi kumulativ që prej vitit 2019 arrin në 140-280 milionë euro.
Problemi nuk kufizohet vetëm te humbjet fiskale. Në prill 2025, Agjencia e Inteligjencës Financiare raportoi 3–4 miliardë lekë transaksione të dyshimta të lidhura me bastet online gjatë viteve 2023–2024. Kjo e pozicionon industrinë e basteve si sektorin e tretë më të rrezikuar për pastrim parash, pas trafikut të drogës dhe kontrabandës, duke e bërë një nga kanalet kryesore të qarkullimit të kapitaleve të paligjshme.
Në këtë kuadër, zbatimi i menjëhershëm i akteve nënligjore për licencimin e operatorëve, monitorimin digjital dhe identifikimin elektronik të lojtarëve është thelbësor, jo vetëm për të luftuar krimin, por për të rikuperuar humbjet fiskale dhe për të kthyer bastet dhe lojërat e fatit në një burim të qëndrueshëm për sportin, arsimin dhe zhvillimin ekonomik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



