Menaxhim

Qeveria i ‘rikthen’ Lazaratit hashashin/ Harta e fshatrave ku do të kultivohet kanabisi për qëllime mjekësore

Nga Gazeta ‘SI’ – Nga veriu në jug, qeveria ka përzgjedhur vendet për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, me qëllime industriale dhe mjekësore.

Vendimi në Fletoren Zyrtare të tregon se kanabisi do të kultivohet dhe përpunohet në dhjetra zona kadastrale nga Malësia e Madhe në Gjirokastër. Sipas hartave, kanabisi do të mund të kultivohet në Delvinë, Finiq, Dropull, Lazarat, Cakran, Belsh, Cërrik, Këlcyrën, Përmet, Has, Kala e Dodës, Kukës, Bajram Curr.

Gjatë muajve të shkuar, qeveria ka miratuar disa vendime të tjera që lidhen me kultivimin e kanabisit, si kriteret për prodhimin e bimës, ruajtjes dhe shitjes.

 Licenca e operatorëve që duan të kultivojnë kanabis mjekësor në vend do të kushtojë 100 mijë lekë. Subjekti që synon të marrë licencën do të paguajë këtë tarifë. Të ardhurat e përfituara nga kjo tarifë arkëtohen në llogarinë e të ardhurave të thesarit në favor të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Kanabisit. Vendimi i Këshillit të Ministrave, ka përcaktuar se 70% e arkëtimeve nga tarifat e licencimit do t’i kalojnë buxhetit të shtetit dhe 30% buxhetit të Agjencisë Kombëtare të Kanabisit.

Ligji përcakton se pas vitit të tretë, një operator do të paguajë një tarifë vjetore sa 1.5% e qarkullimit vjetor, por jo më pak se 10 milionë lekë.

Personat juridikë që kërkojnë të marrin licencën, duhet të ketë eksperiencë në këtë fushë, njëri nga aksionerët që mbani të paktën 51% të shoqërisë të ketë eksperiencë në një nga vendet e OECD-së, si dhe të ofrojë një kapital 100 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë