Nga Gazeta ‘SI’ – Një projektligj i ri për administrmimin e pasurive të konfiskuara nga krimi, i hap rrugë krijimit të një portofoli digjital për kriptomonedhat e vëna nën sekuestro.
Një draft i propozuar nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, që tashmë i ka shkuar deputetëve për shqyrtim, thotë se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK, do të ketë në përgjegjësi edhe kriptomonedhat që sekuestrohen.
Rregullat dhe procedurat e administrimit të këtyre monedhave, do t’i përcaktojë qeveria, thotë drafti.
Ligji i ri i jep fuqi AAPSK-së dhe drejtuesit të saj të nxjerrin në shitje apo të japin me qira pasuritë e konfiskuara, pa nevojën e “bashkëpunimit” me institucionet.
Po ashtu, Agjencia do të menaxhojë edhe konfiskimet nga organet administrative edhe organe të pushtetit vendor, pra jo vetëm vendime të gjykatave, por edhe të institucioneve, duke zgjeruar ndjeshëm fushën e aktivitetit të kësaj agjencie.
Kriptomonedhat kanë qenë një shqetësim për Prokurorinë e Posaçme, pasi Shqipëria nuk ka një portofol digjital, për t’i ruajtuar ato.
Pak para se të linte mandatin, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani tha se në 2024-n, Prokuroria ka sekuestruar mbi 11 mln euro kriptomonedha, por nuk ka një hapësirë digjitale për t’i ruajtuar.
“Nuk kemi një portofol për të ruajtur kriptomonedhat e sekuestruara. As Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara nuk ka portofol dixhital. Vetëm në 2024 kemi sekuestruar mbi 11 milionë euro vlerë të kriptovalutave dhe kemi hasur në vështirësi. Problemin e zgjidhëm duke bashkëpunuar ngushtë me një vend të BE që na u vetëofrua, ishte një sforco shumë e madhe. Jemi në proces ngrirje të një shume më të madhe se 11 milionë euro, janë të ngrira”, u shpreh në tetor 2025, Altin Dumani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



