Menaxhim

Qeveria hap tenderin 33mln lekë për të blerë rezerva ushqimore

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka hapur një tender 33.3 mln lekë për blerjen  e produkteve ushqimore si rezervë shtetërore.

Në listë përfshihen produkte si makarona, miell, vaj luledielli, fasule, orizi, sheqer dhe kripë.

Hapja e këtij tenderi lidhet me debatet e vazhdueshme mbi mungesën e rezervave shtetërore të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve që mund të ndihmojnë vendin në mes të një krize të tillë.

Mbrëmjen e shkuar, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se tregtarët kanë garantuar furnizim pa probleme në periudhë afatmesme të ushqimeve, me ndihmën e shtetit.

Paralelisht, zyrtarët e qeverisë kanë deklaruar se nuk do të bëjnë publike gjendjen e Rezervave Materiale të Shtetit, duke e konsideruar këtë informacion si sekret shtetëror ndonëse kanë pranuar se shteti disponon rezerva të mjaftueshme.

Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake ( në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin.

Kompanitë që do të marrin pjesë në tenderin e hapur nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara kanë afat deri në datën 1 prill për të dorëzuar ofertat e tyre, ndërkohë që procedura është e  hapur dhe vlera e vendosur është pa TVSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë