Ngjarje

Qeveria do t’i privatizojë ish-repartet ushtarake edhe në zonat turistike

Qeveria do t’i mundësojë familjeve ushtarake që jetojnë prej vitesh në godinat e që janë të pronësi të ministrisë së Mbrojtjes, që t’i privatizojnë duke paguar shumën për 50% të truallit që disponojnë.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes parashikon privatizimin e 53 objekteve, ku më shumë se gjysma e tyre ndodhen në qarkun e Tiranës.
Këtu përfshihet edhe ish-hoteli i Ushtarakëve në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, që të çon në Tufinë. Gjithashtu privatizohen ish-reparte ushtarake të batalioneve të Xhenios, ish-spitali ushtarak në zonën e Gjirokastrës, ish-shtëpia e ushtarakëve në Kajavë, ish-kompania mitroliere në Golem.
Në relacionin e këtij projektligji, që disponohet nga Gazeta “Si” theksohet se propozimi për privatizimin e këtyre objekteve shihet si e vetmja mundësi për zgjidhjen e problematikës së kalimit të pronësisë ushtarakëve, ish-ushtarakëve apo i trashëgimtarëve të tyre.
Drafti i projektligjit përfshin vetëm këtë kategori personash dhe parashikon kalimin e objekteve të dhëna për strehim, nga përgjegjësia e administrimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për strehimin për Entin Kombëtar të Banesave, me qëllim privatizimin e tyre nga poseduesit.

Faksimile e projektligjit të qeverisë


Për shkak se këto godina nuk janë në pronësi të ministrisë së Mbrojtjes, theksohet e ALUIZNI e ka pasur të pamundur që të realizojë legalizimet dhe për këtë u kërkua që të përdoret një formulë tjetër e privatizimit të këtyre godinave që tashmë prej 20 vitesh edhe janë tjetërsuar, duke kryer ndërtime informale në këto objekte, duke ndryshuar pjesërisht ose tërësisht planimetrinë/strukturën e objekteve në të cilat banojnë.
Sipas projektligjit, ish-pronarëve, të cilëve u është njohur e drejta e parablerjes, pasi objekti është ndërtuar mbi truallin e tyre, u njihet e drejta e kompensimit për sipërfaqen e truallit që privatizohet. Privatizimi i objekteve, sipas draftit, dhe truallit nën objekt kryhet nga Enti Kombëtar i Banesave, brenda tri viteve nga kalimi në përgjegjësi administrimi të objekteve nga Ministria e Mbrojtjes.
Për shkak të këtyre ndryshimeve ndër vite, është përcaktuar në draft se privatizimi i objekteve të bëhet sipas gjendjes faktike të ndërtesës, duke përfshirë ndërtimet e reja, ndryshimet, ndërtimet e kryera në funksion të përshtatjes së objekteve për banim, si dhe duke përditësuar inventarin e pronave të paluajtshme të shtetit, që administrohen nga Ministria e Mbrojtjes.
Skema e pagesës
Përfituesit e këtyre objekteve për privatizim nga Enti Kombëtar i Banesave do të paguajnë vetëm vlerën e truallit nën objekt, sipas vlerës së çmimit që ka pasur trualli në momentin e pajisjes së ushtarakut, ish-ushtarakut me dokumentacion për qëllim strehimi dhe shpenzimet hipotekore. Të drejtën e privatizimit e kanë dhe trashëgimtarët e ushtarakëve. Sipas nenit 8 të projektligjit përjashtohen si përfitues të gjithë ata persona ushtarakë apo ish- ushtarakë, të cilët disponojnë një objekt tjetër të përfituar nga shteti ose në momenti e pajisjes me objekt për qëllim strehimi kanë pasur detyrimin për të dorëzuar një objekt tjetër banimi dhe nuk e kanë dorëzuar. Nga Enti Kombëtar i Banesave u bë një vlerësim paraprak i kostove që do të përballohen nga familjet e strehuara në këto objekte, në rast privatizimi, sipas akteve ligjore/nënligjore në fuqi (VKM 614/2015), duke marrë si shembull tri objekte me shpërndarje gjeografike, Shkodër, Tiranë, Kolonjë, me sipërfaqe sa mesatarja e sipërfaqes së objekteve që synohet të privatizohen në bashkinë përkatëse.

Tre shembujt e pagesës që do t’i ngarkohej familjeve që jetojnë

Bashkia Shkodër
Sipërfaqja e banimit 62m2,
Shuma për t’u paguar sipas VKM 1.937.258 lekë
Shuma për t’u paguar sipas projektvendimit (50% e truallit) 1.724.830 lekë
Bashkia Tiranë
Sipërfaqja e banimit 171,8 m2,
Shuma për t’u paguar sipas VKM 6.393.794 lekë
Shuma për t’u paguar sipas projektvendimit (50% e truallit) 4.229.710 lekë
Bashkia Kolonjë
Sipërfaqja e banimit 59m2,
Shuma për t’u paguar sipas VKM 1.563.086 lekë
Shuma për t’u paguar sipas projektvendimit (50% e truallit) 1.539.536 lekë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë