Menaxhim

Qeveria do t’i japë privatit me 1 euro pronat publike në zonat malore: Nxit ekonominë dhe ndalon plakjen

Nga Gazeta 'SI' - Zonat malore janë fokusi i ri i zhvillimit të qeverisë, duke i përfshirë në nismën “Shqipëria, 1 euro”.

Një projektligj i dalë për konsultim tregon se “Paketa e Maleve” synon të japë pronat shtetërore në zonat malore me 1 euro, me qëllim zhvillimin ekonomik të tyre.

“Qëllimi i këtij ligji është nxitja dhe tërheqja e investimeve për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë në ato zona rajonale dhe/ose lokale, të cilat për shkak të burimeve natyrore, trashëgimisë së pasur kulturore dhe gamën e gjerë të aktiviteteve në natyrë që ofrojnë konsiderohen si zona të një rëndësie të veçantë me përparësi zhvillimin malor dhe kanë nevojë për mbështetje të posaçme me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, nxitjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të jetësës dhe shfrytëzimin me efiçence të burimeve të natyrës, mbrojtjes së ekosistemit dhe vlerave territoriale”, shkruhet në draftin e ministrisë së Ekonomisë.

Një plan i tillë zhvillimi përveç se fuqizon ekonomikisht zonat malore dhe i kthen ato në një atraksion turistik, ndikon edhe në uljen e fenomenit të plakjes dhe largimit të popullsisë.

Ministria përgjegjëse për ekonominë, propozon zonat me përparësi zhvillimin, të cilat kanë nevojë për përdorimin e mekanizmave të veçantë, me qëllim nxitjen e investimeve në këto zona ku ka nivele të larta papunësie dhe ku zhvillimi ekonomik është në nivele të pakënaqshme, krahasuar me rajone të tjera të vendit që një subjekt të marrë një hapësirë shtetërore duhet të konfirmojë se ajo është pa pronar.

MEKI thotë se më këtë nismë synohet të reduktohen pabarazitë sociale dhe ekonomike midis rajoneve në të gjithë vendin dhe të nxitet zhvillimi ekonomik i zonave malore dhe periferike në veçanti, në mënyrë që të gjitha qarqet të jenë në gjendje të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin sa më të shpejtë të vendit.

Iniciativa për këtë projektligj merret në kuadër të “Programit të integruar për zhvillimin rural - Programi i 100 Fshatrave”, dhe më konkretisht, në kuadër të nismës “Investo në Tokën Tënde – Paketa e Maleve”, e cila synon të ofrojë një qasje alternative për tërheqjen e investimeve direkte dhe orientimin e tyre, për zhvillimin e atyre zonave rajonale/lokale të qeverisjes vendore, të identifikuara si zona me përparësi zhvillimin, që kanë nevojë për përdorimin e mekanizmave të veçantë, për zhvillimin ekonomik.

Shqipëria, 1 euro, nisma e kritikuar e Berishës që u pasua tek Rama

Shqipëria, 1 euro, e iniciuar nga demokratët u përqafua edhe nga qeveria socialiste e vendit. Prezantuar fillimisht nga ish-kryeministri Sali Berisha në 2006-n, “Shqipëria, 1 euro” synonte kalimin e tokës publike tek subjektet private, për të investuar. Ideja u kundërshtua fort nga opozita socialistë atë kohë, që e quajtën “Shqipëria në shitje”.

Por ardhja në pushtet e socialistëve i ndryshoi atyre mendjen dhe kryeministri Edi Rama e la nismën në fuqi. Në vendimin e 2014-s, përcaktohej se investimi nuk mund të ishte më pak se 300 mln lekë dhe se afati i lidhjes së kontratës për sipërfaqet 200 - 500 m2 është deri në 10 (dhjetë) vjet, ndërsa për sipërfaqet mbi 500 m2 është deri në 20 (njëzet) vjet. Projekti i investimit duhet të siguronte krijimin e të paktën 50 vendeve të punës.

Përgjatë viteve vendimi u rishikua disa herë.

Për ekspertët e financave, mungesa e transparencës nga ana e qeverisë për këtë program është shqetësim. Në një monitorim të Kontrollit të Lartë të Shtetit në vitin 2017 rezultoi se për 10 subjekte që kanë përfituar nga kjo nisëm i është shkaktuar shtetit një dëm prej 20 milionë dollarë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë