Menaxhim

Qeveria do luftojë paratë e pista me Inteligjencë Artificiale. Në ‘lupë’ edhe kriptomonedhat

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria do të luftojë paratë e pista me anë të Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë.

Në strategjinë 2024-2030, të publikuar nga SPAK, thuhet se qeveria do të përdorë sistemet teknologjike për të rritur masat kundër pastrimit të parave nëpër biznese dhe institucione.

AI do të përdoret për analizimin e të dhënave dhe parashikohet të ngrihen sisteme digjitale të menaxhimit të gjurmimit të çështjeve kundër PP.

Në raportin e SPAK përmendet dhe teknologjia do të përdoret edhe për vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave nga përdorimi i mjeteve virtuale dhe teknologjive të reja. Ky rrezik është vërtetuar të jetë prezent në mjedisin shqiptar.

Sipas një raporti për vlerësimin e rrezikut të PP në Shqipëri, Agjencia Financiare, AFIU konfirmoi se janë zbuluar raste sporadike të pastrimit të parave me anë të kriptomonedhave në vendin tonë.

AFIU thekson se fenomeni nuk ka rezultuar shumë i përhapur, por gjithsesi sistemi mbetet i rrezikuar nga kjo dukuri.

SPAK rendit individët rezidentë, si grupi më i madh me potencial për pastrimin e parave. Skenarët me rrezik të lartë për PP janë ato të blerjes së pasurive të patundshme me burim të panjohur. Përfitimi i transfertave të shpeshta dhe në vlera të vogla nga individë pa një lidhje të qartë mes tyre. Depozitimi në llogari bankare të shumave cash me burim të panjohur. Blerje pasurish të paluajtshme nën vlerë dhe rivlerësim brenda një kohe të shkurtër. Veprime financiare (depozitim/ transferta/ investim në pasuri të paluajtshme/ luajtshme) nga persona të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale. Investim në vlerë të lartë në pasuri të paluajtshme nëpërmjet përdorimit të personave të tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë