Menaxhim

Qeveria do të japë me koncesion Triportin e Vlorës

Qeveria vendosi të mërkurën (11maj) gjatë mbledhjes së qeverisë që të japë me koncesion Triportin e Vlorës.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Ky është një projekt që e kemi thënë prej kohësh. Triporti do jetë porti më i ri modern i ndërtuar në zonën e Vlorës.

Sot, ka vetëm shërbimet e peshkimit por në të ardhmen do të ketë të gjitha shërbimet komerciale, bazuar në kalatat e reja që do ndërtohen atje. Sigurisht duke akomoduar dhe pjesën e peshkimit, por mbi të gjitha edhe mirëmbajtjen e anijeve. Një pjesë e munguar deri më sot, që shpesh peshkatarët duhet t’i drejtoheshin Italisë për ta bërë këtë.

Është një nga kontratat më të mira që ne kemi nënshkruar dhe do ta vëmë në zbatim menjëherë pas zbardhjes në fletoren zyrtare, pasi parashikohet që ky financim të fillojë të paguhet nga shteti shqiptar vetëm në momentin kur projekti do ketë përfunduar së ndërtuari dhe në nisjen e parë të operimeve”, tha Balluku.

Ajo shtoi se nga të ardhurat që vetë porti do të krijojë, do të jetë momenti që do fillojë të paguhet e gjithë shuma e këtij projekti. Deri atëherë Qeveria shqiptare nuk do të ketë asnjë detyrim financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë