Qeveria do të vendosë në dispozicion të importuesve të mallrave të shportës një garanci sovrane për të frenuar rritjen e çmimeve të këtyre produkteve.
“Jemi duke përpunuar një instrument garancie sovrane që do të përdoret nga importuesit dhe përpunuesit e këtyre produkteve bazë për të marrë kredi për kapital qarkullues, që do të jetë e siguruar nga Ministria e Financave, rritja e çmimeve ju ndikon dhe te disponueshmëria e parave për rezerva dhe siguruar furnizimin e popullsisë”, deklaroi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.
Ministrja foli në një takim të organizuar me importuesit dhe tregtarët e produkteve ushqimore të shportës.
“Kemi krijuar bordin e transparencës për produktet ushqimore. Prej nisjes së rritjes së çmimeve, që nuk ka nisur me luftën, por tendencë që në fillim të vitit, kemi marrë masa në bashkëpunim me ju që të krijojmë transparencë se pse po rriten çmimet dhe kush janë efektet e luftës dhe kemi vendosur një formulë për marzhet e fitimit, vajin orizin, sheqerin, miellin të mos aplikojnë marzhe fitimi të larta”, tha ajo.
Kjo është hera e tretë që qeveria aplikon mekanizmat e garancisë sovrane. Dy të parat u dhanë për biznesin e madh dhe biznesin e vogël gjatë periudhës së pandemisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.