Menaxhim

Qeveria do të digjitalizojë edhe rrugët, i hap rrugë privatit për të menaxhuar trafikun

Nga Gazeta ‘SI’- Me anë të një udhëzimi të sapomiratuar, qeveria e Shqipërisë parashikon vënien në funksion të Sistemit Inteligjent të Transportit (SIT), një kuadër i ri digjital që synon transformimin e mënyrës se si monitorohet, menaxhohet dhe kontrollohet trafiku rrugor në vend.

Dokumenti, parashikon që çdo person në territorin e Shqipërisë të ketë akses në kohë reale në informacion mbi trafikun, rrugët, incidentet, parkimet, si dhe elementë të tjerë që synojnë ta bëjnë udhëtimin “më të saktë” dhe “më inteligjent”.

Sipas udhëzimit, qeveria hap rrugën që menaxhimi i këtij sistemi t’i delegohet edhe subjekteve private, të cilat do të kenë në administrim dhe përpunim të gjithë informacionin që lidhet me një pikë kritike si infrastruktura rrugore dhe transporti.

Në listën e funksioneve përfshihen parkimi inteligjent, menaxhimi dinamik i trafikut dhe madje komunikimi makinë-makinë dhe makinë-rrugë (C-ITS). Ky komunikim do të kryhet nëpërmjet njësisë së “platformës”, të cilën shoferët duhet ta vendosin brenda ose jashtë mjetit, për të aksesuar SIT. Udhëzimi thotë se garanton ruajtjen e anonimitetit të përdoruesve, por mbetet e paqartë se si do të garantohen realisht mbrojtja e të dhënave personale dhe siguria e informacionit delikat të qytetarëve.

Një nga elementët kyç të dokumentit është krijimi i Pikës Kombëtare të Aksesit, e administruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), duke e kthyer atë në të vetmen nyjë shtetërore që do të aksesojë të gjitha të dhënat nga trafiku e infrasruktura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë