Portofol

Qeveria 93 mln euro për bujqësinë, profesori i veterinarisë kërkon siguri ushqimore

Ministri i Financave Arben Ahmetaj pat deklaruar në fillim të vitit se buxheti i shtetit kishte rezervuar për bujqësinë 93 mln euro. “Mbështetja për bujqësinë sivjet në 2018 është realisht më e larta në 27 vite. Janë 26 milionë dollarë, pra afërsisht 22 milionë euro vetëm nga buxheti i shtetit për mbështetjen tuaj. Ndërkohë, fillon shumë shpejt projekti i Komisionit Europian IPARD dhe kjo është zona që është më shumë e prirur për të përfituar, qoftë si fermerë por qoftë dhe si bashkime bujqësore. E gjithë shuma, së bashku me kontributin e buxhetit të shtetit, shkon në 93 milionë euro”, tha Ahmetaj. Edhe ministri i Bujqësisë Niko Peleshi është shprehur për mbështetjen e biznesit të “Agroturizmit” përmes përfitimit të këtij statusi në bazë të kritereve të veçanta. Sipas Peleshit, përfituesit me këtë status do të kenë të drejtën e 200 milionë lekëve nga Skema kombëtare dhe deri në 200 mijë euro nga IPARD-i si grant. Por profesionistët e fushës nuk u impresionuan nga deklaratat e politikës. Profesori i degës së Veterinarisë në Universitetin Bujqësor të Kamzës, Kristaq Berxolli kërkon nga Ministri Peleshi një strategji të detajuar për produktet ushqimore. “Niko, siguria e produkteve ushqimore (qumësht, mish, fruta e zarzavate), garanton agroturizmin. Filloni kontrollin e gjedhëve për bruçelozë e tuberkuloz, kontrollin e produkteve bujqësore, kimikatet që përdoren etj, ndryshe jo agroturizëm që nuk ka po asgjë nuk ka. Pa shërbim veterinar dhe shërbim këshillimor nuk arrin dot asgjë. Vate një vit që strukturat janë jashtë funksionit. Erdhën zgjedhjet e reja. Me siguri e njëjta formule: Suksese të padiskutueshme do thoni. “-shprehet profesor Berxolli. Në Shqipëri, 48% e fuqisë punëtore është e angazhuar në bujqësi dhe gati 60% e popullsisë rurale i fiton të ardhurat e tyre nga bujqësia. Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me numrin dhe vlerën e kapitalit të Shoqërive Aksionere SHA që operojnë në Republikën e Shqipërisë në sektorin Bujqësi. Treguesit kanë burim Qendrën Kombëtare të Regjistrimit QKR, dhe janë realizuar në bazë të të dhënave të ekstrakteve zyrtare qershor 2014. Në sektorin Bujqësi veprojnë vetëm 18 shoqëri aksionere që përbëjnë rreth 1.4% e totalit të  kompanive të regjistruara, ose 1.7 e shoqërive aksionere të regjistruara dhe me të dhëna të përditësuara si shoqëri aktive. Edhe ne këndvështrimin e kapitalit aksionar, rezulton se sektori i bujqësisë është i fundit dhe me i vogli për nga pesha specifike e totalit te SHA-ve. Kështu, kapitali i SHA-ve qe veprojnë ne bujqësi është 17 853 322 Euro ose 0.6% e kapitalit total te SHA-ve te regjistruara dhe aktive. Bazuar ne fushën e aktivitetit te SHA-ve sipas ekstrakteve të dorëzuara ne QKR, sektori i Bujqësisë kategorizohet në pesë nensektore: Bujqësi, prodhime ferme, pemëtari dhe vreshtari; Rritje dhe mbarështim kafshësh; Peshkim; Pyje dhe Gjueti.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë