Nga Gazeta Si- Është ora 9 e mëngjesit! Viti i Ri ka pak orë qe ka mbërritur dhe gjithçka është heshtje. E kemi mësuar kuptimin e heshtjes para stuhisë por në këtë rast, kuptimi përmbyset. Ka zhurmë fishekzjarresh, britma gëzimi, makina me bori të takuar, të rinj që dalin nga kthinat dhe rrugicat e lagjeve dhe ia mësyjnë qendrës. Ishte nata e harlisjes, e dehjes, e stërmundimi për të zënë një qosh në Pub-in e madh të qytetit, aty ku bash për Vit të Ri nuk ka kurrë vend. Nga mbijnë të gjithë këta njerëz në këtë natë? Nejse, është e vetmja natë që i madh e i vogël ia lejojnë vetes pak teprim.
Bakllavaja është ngrënë gjysëm. Pijet dhe ushqimet e një nate më parë janë ende mbi tavolinë. Bollek i rremë që rri shtruar deri në mëngjes, si për ti treguar Vitit të Ri se ajo me çka ne e presim lidhet domosdoshmërisht me stomakun. Si popull i dalë nga komunizmi shumë vonë, kjo është simbolike e dhimbshme e një kohe mungesash.
Gjithsesi bebja e parë ka lindur. Nuk është një por dy. I kemi binjakë bebet e para. Urojmë që kur të rriten mos të ketë konflikt se cili lindi i pari. Nëse ky vit do të jetë i mbarë për Shqipërinë, ata do të ndihen krenar si lajmës të fatit të mirë. E nëse punët shkojnë keq, me gjasë ata do ta fshehin faktin se kanë qenë bebet e para. Tani që e mendoj na duhet një regjjstlër bebesh të para për të parë se ç’fat kanë pasur dhe a është lidhur fati i tyre me fatin e vendit tonë? Fundja ç’rëndësi ka? I pari i fundit, të gjithë një vit lindjeje kanë.
Rrugët janë të zbrazura. Ajri është i pastër. Të kujton kohët e Covidit kur qyteti i zbrazur i ngjante një vendi të braktisur. Tani s’ka Covid por braktisja mbetet. Edhe të ikur janë shumë. Edhe do ikin! Kjo është e vetmja dëshirë që nuk ndryshon me ndryshimin e viteve.
Lojërat në shesh, tezgat me qofte e petulla kanë mbetur aty si monumente të një kohe jo të largët. S’ka më interes për ta. Fundja aq ishte misioni i tyre.
Mbrëmë ka pasë krisma në një lokal. Dikush ende nuk e ndan festën nga lufta. Fundja kapsollët dhe armët një zhurmë kanë. Por sot është 1 janar dhe është ende festë. Njerëzia pushon dhe qetësia pas zhurmës dhe harlisjes është e domsdoshme. Është qetësi e pezullt, e patrajtë dhe e parehatuar. Sepse ne e dimë që qetësia në këtë vend është thjesht një utopi. Prapwë do zihemi, prapë do urrejmë dhe sërish do të ndahemi në kampe sidomos në këtë vit zgjedhjesh.
Por me urimin për një vit së paku më të mirë të gjithë ne e dimë se thuajse asgjë nuk ndryshon, përveç kësaj qetësie e cila së paku në një herë në vit na jep kohë për reflektim dhe rinisje për një vit tjetër me të papritura, ashtu siç poetja Luljeta Lleshanaku na e shpall në poezinë e saj:
“Të gjithë flenë. Një gjumë i ëmbël hipotermik.
Por, ata të paktë që janë akoma zgjuar,
mund të dëgjojnë gërvimën e trishtuar të qerres
që vjedh gurët nga një rrënojë,
për një ngrehinë të re, vetëm pak metra më tutje”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.