Muaji qershor është shpallur si muaji i letërsisë për fëmijë. Kjo nismë është ndërmarrë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me synimin për t’i edukuar fëmijët përmes librit.
“Ne kemi pasur një traditë të shkëlqyer në historinë e letërsisë për fëmijë, duke nisur nga Rilindja, ku shkrimi i kësaj letërsie shihej si një mision i madh e i rëndësishëm shoqëror, pedagogjik, artistik dhe kombëtar, letërsi e cila duhej lëvruar për të zhvilluar dhe qytetëruar brezin e ri të Shqipërisë”, shkruan QKLL në faqen e saj në “Facebook”.
Serinë e leximeve e ka hapur ministrja Olta Xhaçka. Ajo ka zgjedhur t’i lexojë vajzës së saj fragmente nga libri “Gjigandi i madh i mirë” nga Roald Dahl.
Historia e Sofisë dhe gjigandit të madh e të mirë, që mbledh ëndrrat e bukura dhe ua dërgon fëmijëve është sugjerimi i saj për fëmijët dhe prindërit.
Sugjerimet për fëmijë dhe prindër në këtë muaj do të shërbejnë si një homazh nderimi për të gjithë ata që i dhanë jetë historisë së letërsisë artistike për fëmijë duke pasuruar në këtë mënyrë gjuhën shqipe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.