Jete & Stil

Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë mund të ketë efekte negative në shëndetin mendor

Ulja për një kohë të gjatë mund të ketë efekte negative në shëndetin dhe madje tejkalon përfitimet e stërvitjes së rregullt.

Një studim nga Universiteti i Huddersfield, Angli zbuloi se shumë njerëz kalonin më shumë se tetë orë në ditë të ulur dhe kjo shkakton një sërë problemesh, ndër to edhe në shëndetin mendor.

“Edhe pse të gjithë pjesëmarrësit në studim ishin shumë aktiv, ata rrinin ulur për shumë kohë dhe mbi 50 përqind e tyre rrinin ulur për më shumë se tetë orë”, tha Liane Azevedo, një nga autoret e studimit.

“Ne zbuluam se koha e qëndrimit ulur, së bashku me disa demografi dhe probleme shëndetësore ekzistuese, ishin arsyet kryesore që ndikonin negativisht në shëndetin mendor dhe mirëqenien”.

Studime të tjera kanë treguar se nëse uleni për më shumë se tetë orë, në mënyrë që të kompensoni efektin negativ të kësaj në rezultatet e shëndetit fizik ju duhet të stërviteni për më gjatë.

Azevedo tha se rreth 60 minuta stërvitje është ideale, më gjatë se 30 minuta që rekomandohet në përgjithësi si minimum për stërvitjen e përditshme.

“Zvogëlimi i kohës së qëndrimit ulur ka një efekt pozitiv në shëndetin mendor. Ne rekomandojmë që së bashku me rritjen e aktivitetit fizik, të inkurajohet zvogëlimi i kohës ulur”, shtoi Azevedo.

Ajo tha se ishte e rëndësishme që njerëzit të kuptonin se aktiviteti fizik nuk ishte “të shkosh vetëm në palestër”.

“Shëtitja veçanërisht në natyrë është me të vërtetë e rëndësishme, çdo lloj aktiviteti i moderuar ka përfitime”, tha Azevedo.

Ajo thotë se gjithashtu vunë re nga studimi se koha e lirë dhe kopshtaria janë aktivitete që ndihmojnë si fizikisht ashtu edhe mendërisht.

*Hulumtimi u botua në revistën Sport Sciences for Health.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë