Politike

Qëndrimet e Berishës / Nga reflektimi për Kushtetutën e 2008, përgjegjësia për fëmijët e deri tek akuza për gjyqtarët: Janë kapur në përgjimet e SKY

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje SPAK që të hetojë çdo vendim dhe çdo firmë që ka hedhur ai që nga 1990 deri sot, duke theksuar njëkohësisht se mban përgjegjësi të plotë për çdo shkelje të interesit publik që 2 fëmijët e tij mund të kenë bërë gjatë kohës kur ai vetë ka qenë në pushtet.

 “E kam theksuar dhe theksoj, e kam ftuar dhe e ftoj, të shqyrtoj, çdo akt, çdo firmë, çdo vendim të Berishës nga 90 deri sot. Unë jam politikani i vetëm në Shqipëri që keni dëgjuar të them që mbaj përgjegjësi të plot për fëmijët e mi, fëmijët e mi janë të martuar, mund të thosha që ato janë  në punën e tyre, unë në punën time, por e kam thënë që mbaj përgjegjësi të plotë për çdo shkelje të interesit publik që ato kanë bërë gjatë kohës që unë kam qenë në pushtet”, tha Berisha në emisionin “Debat” në A2 CNN.

Ai ka hedhur akuza të rënda se gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, por edhe Gjykatës Kushtetuese janë kapur në përgjime me botën e krimit.

Berisha tha se në përgjimet e “Sky”, janë gjetur edhe biseda të gjyqtarëve të 2 prej gjykatave më të rëndësishme në vend, me anëtarë të bandave kriminale.

Se nga i vjen ky informacion dhe se për cilët gjykatës bëhet fjalë, Berisha zgjodhi të mos japë emra, por tha se janë informacione 100% të vërteta.

“Informoj shqiptarët se telefonat Sky ECC, janë gjetur dhe janë përdorur me banda edhe nga gjykatësit më të lartë. Kjo është përgjigja e pyetjes, që shtron Andoni si ka mundësi drejtësia e re. Me ligj, Sadushët janë të detyruar brenda 30 ditëve për çështje si kjo (vula e PD) dhe ai mban vendimin, e mban në sirtar aq sa i thotë Rama, i cili vetë mban në sirtar vettingun e tij”, tha Berisha.

Berisha duke folur ne emisionin "Debat" ne A2CNN

Ai ka reflektuar për herë të parë për ndryshimet Kushtetuese të bëra në vitin 2008.  “Jam plotësisht dakord, le të ndryshoj që nesër sistemi zgjedhor. Nuk kam kundërshtime, edhe neni i Kushtetutës. Kur e ka pranuar Edi Rama këtë ka qenë në opozitë dhe dje në mbledhje jam shprehur se jam dakord nëse vendoset për të ndryshuar sistemi zgjedhor, nëse vendoset për të ndryshuar nene të Kushtetutës të vendosura në 2008, le t’i ndryshojmë”, tha Berisha, duke u shprehur i gatshëm të firmose edhe dokumentin e Dashamir Shehit për të ndryshuar sistemin dhe Kodin Zgjedhor.

“E firmos menjëherë, s’e kanë sjellë, dje kam kërkuar në grup që ta mbështesim”, tha Berisha

Ai nuk pranoi gjithashtu që Flutura Acka të jetë në vend të Gazment Bardhit si kryetare e grupit me argumentin se është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

  “Është gjithçka një akt i diktuar nga Edi Rama në shkelje flagrante të ligjeve të Parlamentit dhe Lulzim Brava është thjesht një peng që zbaton skenarët, të cilat hartohen në zyrat e Ramës.

Parlamenti ka një rregullore dhe ajo është ligji i funksionimit të institucionit që voton ligje. Ajo rregullore përcakton si kristali se kreu i Grupit Parlamentar zgjidhet me votat e anëtarëve të grupit parlamentar.

Kështu që me asnjë akt përveçse me votimin e deputetëve të PD nuk mund të zëvendësohet kreu i Grupit Parlamentar”, tha ai në A2 CNN.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë