Arsim

Qëndresa Qytetare: 40 për qind e maturantëve që kanë plotësuar A1 duan të ikin jashtë

Nga Gazeta Si – Edhe pse jo me protesta dhe kontestime, as Matura Shtetërore e këtij viti nuk ka kaluar pa probleme dhe rezultatet në shifra i tregojnë më së miri.

Në një monitorim të bërë nga Qëndresa Qytetare, del se këtë vit kishte rreth 7 për qind më pak maturantë dhe rreth 40 për qind e maturantëve që kanë plotësuar formularin A1, kanë thënë se po aplikojnë për jashtë.

“Në krahasim me vitin e kaluar, numri i maturantëve këtë vit ishte rreth 7 për qind më pak, me gati 2600 maturantë në vit. Sipas këtij projeksioni, matura e vitit 2024 do të këtë rreth 24.900 maturantë, çka shpreh situatën në të cilën ndodhet vendi ne lidhje me ikjen masive të të rinjve”, shkruhet në monitorimin e Qëndresës Qytetare.

Një tjetër e dhënë shqetësuese që del nga ky monitorim është se, referuar të dhënave të QSHA, rreth 39.4 për qind e maturantëve të këtij viti kanë shprehur dëshirën për të studiuar jashtë vendit gjatë plotësimit të formularit A1.

Në plotësimin e A1, maturantët kanë opsionin nëse aplikojnë për jashtë vendit dhe rreth 40 për qind ka zgjedhur opsionin “Po”.

Sipas analizës së kryer, matematika është provimi më i vështirë për maturantët. Gjatë tre viteve të fundit, në këtë provim kanë mbetur 6296 maturantë. Pas matematikës, vjen provimi i gjuhës së huaj, me 3853 maturantë. Në vend të tretë është provimi me zgjedhje, që ka 3776 maturantë mbetës. Në fund, provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë është provimi me kalueshmërinë më të lartë.

Provimi më i vështirë për të fituar notën 10.00 është provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, pasi vetëm 21 maturantë kanë arritur këtë rezultat në tre vitet e fundit. Në vend të dytë është provimi i matematikës me 476 maturantë. Pas tij vjen provimi me zgjedhje, ku janë 512 maturantë dhe në fund, provimi i gjuhës së huaj me 1031 maturantë të cilët kanë arritur rezultatin maksimal, notën 10.00.

Fiktiviteti i notave është një problem kryesor në sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri. Kjo nënkupton se notat që nxënësit marrin gjatë vitit shkollor nuk korrespondojnë me notat e tyre në provimet e maturës shtetërore. Ka ndryshime të ndjeshme midis notës mesatare vjetore dhe notave që nxënësit marrin në provimet e maturës.

Raporti publik për arritjet e nxënësve të maturës shtetërore për vitin shkollor 2020-2021 tregon se numri total i nxënësve me notë mesatare 10 në të gjitha vitet e shkollës së mesme ishte 1249. Megjithatë, asnjë prej këtyre nxënësve nuk arriti të marrë notën 10.00 në të gjitha provimet e maturës. Në fakt, vetëm 8 për qind prej tyre arritën të marrin notën 10 në një provim, ndërsa vetëm 0.3 për qind arritën të marrin notën 10 në dy provime.

Raporti publik për Maturën Shtetërore për vitin shkollor 2021-2022 tregon se ka një pjesë nxënësish që kanë një ndryshim të theksuar në notën mesatare vjetore kur krahasohet me notën e tyre në provimet e maturës. Për shembull, 5.6 për qind e nxënësve kanë përmirësim me 3-5 nota në provimin e matematikës, ndërsa rreth 2.5 për qind kanë një ulje të notës. Një situatë e ngjashme shihet edhe në provimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë, ku rreth 3.1 për qind e nxënësve kanë një ulje me 3-5 nota.

Analiza e kryer në provimin e matematikës tregon se qarku me ndryshimin më të theksuar të notave është Kukësi, ku 8.8 për qind e maturantëve kanë një diferencë prej ± 4 nota.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë