Sociale

Qendrat e Melonit në Shqipëri për emigrantët janë kthyer në një ‘qytet fantazmë’

Zgjidhja e shumëpërfolur për krizën e emigracionit në Europë strehon vetëm policinë italiane që po ngrohet në diell.

Kur kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tregoi planin e saj për të dërguar azilkërkuesit e Italisë në Shqipëri, e prezantoi si një përgjigje të mirë për krizën e emigracionit në Europë.

Por një vit dhe 65 mln euro më vonë, skema ka ngecur në një limbo juridike pa mundësi për të vazhduar më tej, me godina boshe që po shkatërrohen dhe me punonjës që po kthehen në shtëpi.

“Dukej sikur të ishim në një qytet fantazmë,” tha për POLITICO bashkë-presidentja e Volt Europe, Francesca Romana D’Antuono, e cila vizitoi qendrën e paraburgimit në Gjadër në fund të nëntorit dhe mori pjesë në protestat kundër kampit me aktivistë vendas.

 “Por më pas, kur hymë, kishte shumë policë,” shtoi ajo. “Çështja është se ata nuk bëjnë asgjë gjatë gjithë ditës, sepse në të vërtetë nuk ka ndonjë gjë për të bërë.”

Sipas D’Antuonos, oficeri i lartë i policisë që i shoqëroi gjatë vizitës dukej i pakënaqur me komunikimet e saj me stafin policor. “Mendoj se edhe ata e ndjejnë absurditetin e gjithë kësaj,” tha ajo.

Në tetor, 16 emigrantët e parë – nga Bangladeshi dhe Egjipti – mbërritën në qendrat me një anije luftarake italiane. Por brenda shtatë ditëve, të 16-të u kthyen në Itali pasi gjyqtarët e imigracionit në gjykatën e Romës rrëzuan projektin e Melonit.

Nga fundi i nëntorit, një pjesë e stafit italian të punësuar nga Medihospes, kompania që menaxhon operacionet në të dy qendrat, nisi të kthehej në Itali.

Burime në ambasadën italiane i thanë POLITICO-s se pavarësisht reduktimeve të stafit muajin e kaluar, të gjitha stacionet mbeten të pajisura plotësisht – me ndërrime turni të policëve gjatë gjithë orarit – në rast se vjen një valë e papritur refugjatësh.

Projekti parashikon një qendër pritjeje dhe klasifikimi në Shëngjin, ku fillimisht sillen refugjatët e kapur nga roja bregdetare italiane, përpunohen të dhënat e tyre personale dhe u ofrohen shërbime fillestare të kujdesit shëndetësor. Pjesa e dytë e operacionit, një kamp paraburgimi në Gjadër, gjendet në brendësi të vendit rreth 8 kilometra nga qyteti i qarkut të Lezhës.

Shëngjini shërbeu gjithashtu si një zonë strehimi për refugjatët afganë, pasi talebanët u kthyen në pushtet në Afganistan në gusht 2021. Pavarësisht se u tha se do të ishte një strehë e përkohshme, shumë refugjatë mbetën të bllokuar aty për gati dy vjet, në pritje të dritës jeshile për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.

Sandër Marashi, kreu i portit në Shëngjin, tha se megjithëse prej javësh nuk ka ardhur asnjë emigrant, “i gjithë stafi italian është ende në port dhe në qendër dhe ata menaxhojnë gjithçka këtu”.

Banorët vendas në qytetin turistik të Shëngjinit thonë se policët italianë i kalojnë ditët duke pushuar në hotelin me pesë yje Rafaelo Resort, duke u ngrohur në diell dhe duke shijuar gosti me ushqime deti, ndërsa makinat e tyre të policisë karabiniere qëndrojnë të parkuara jashtë.

Mediat shqiptare raportojnë se policët italianë të Gjadrit – të izoluar në një fshat malor me vetëm disa qindra banorë vendas për t’u bërë shoqëri – janë të izoluar, të mërzitur dhe gjithnjë e më të indinjuar ndaj kolegëve të tyre të Shëngjinit, të cilët ata pretendojnë se po shijojnë jetën e mirë.

Sipas një historie të botuar në revistën e brendshme të policisë italiane, pa refugjatë në dukje, oficerët lokalë të burgut në Gjadër kanë marrë masa për të shpëtuar dhe shëruar qentë endacakë të fshatit.

“Një dhomë pritjeje shumë e shtrenjtë”

Në prill, qeveria italiane ndau 65 milionë euro për ndërtimin e dy qendrave dhe 2,5 milionë euro të tjera për shpenzimet e stafit italian në vitin 2024. Në përgjithësi, qeveria vlerësoi se do të shpenzonte rreth 680 milionë euro gjatë pesë viteve të ardhshme për mirëmbajtjen dhe drejtimin e qendrave.

Ndërkohë, qeveria italiane pret një vendim nga Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, që pritet këtë pranverë, nëse trajtimi i emigrantëve në një vend të tretë është në përputhje me ligjin e BE-së.

“Është thjesht një dhomë pritjeje shumë e shtrenjtë”, tha për POLITICO deputetja e Parlamentit Evropian të Volt, Anna Strolenberg, e cila vizitoi qendrën në Gjadër me D’Antuono.

Megjithatë, policia italiane e punësuar në Shqipëri mori një rritje të konsiderueshme pagash. Ndërkohë që paga mesatare e një oficeri në Itali është më pak se 2000 euro, ata që vijnë në Shqipëri mund të fitojnë deri në 6000 euro.

Një emision televiziv shqiptar regjistroi fshehurazi një grup policësh italianë në qendrën e Shëngjinit duke pranuar se pjesën më të madhe të kohës e kalonin në saunën e hotelit, pasi nuk kishin çfarë të bënin tjetër.

Strolenberg argumentoi se plani i Melonit për qendrat e përpunimit në Shqipëri ishte jorealist që në fillim. “Italia kthen në total rreth 3000 persona në vit ose më pak. Në Shqipëri donin të përpunonin rreth 3000 persona në muaj”, tha ajo.

Objektet tashmë kanë filluar të dëmtohen, shtoi eurodeputetja.

“Në spital, mund të shihje ujin që pikon nga muret,” tha ajo. “Dhe në tokë, uji mbetej aty.” Ajo shtoi se ishte e vështirë të imagjinohej se si do të funksiononte objekti kur të mbushej me njerëz.

Model i dështuar apo fitore politike?

Që nga inaugurimi i dy qendrave më 11 tetor, projekti ka marrë vlerësime nga liderët evropianë, duke përfshirë Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, të cilët kanë shprehur interes për ta përsëritur atë diku tjetër.

Von der Leyen vlerësoi projektin dhe e quajti atë “një zgjidhje inovative”, duke u kërkuar liderëve të tjerë të BE-së të nxjerrin “mësime nga protokolli Itali-Shqipëri”.

Përpara samitit të fundit evropian në fund të Tetorit, Meloni drejtoi një takim jozyrtar mbi “migracionin dhe zgjidhjet inovative” për të rekrutuar liderë të tjerë të BE-së “të interesuar për çështjen e migracionit”.

Por Strolenberg thotë se me hapjen e qendrave Meloni vetëm sa ka ngjallur shpresa false si liderëve europianë ashtu edhe qytetarëve të BE-së.

“Politikanët e tjerë në Evropë e shikojnë këtë marrëveshje dhe shpresojnë se do të ketë sukses, se mund t’u ofrojë një rrugëzgjidhje për gjëra të tjera,” tha ajo, duke argumentuar se bisedimet për migracionin do të bëhen “edhe më të polarizuara” si rezultat.

Të dy Strolenberg dhe D’Antuono argumentuan se edhe nëse projekti dështon, nuk do të jetë një humbje politike për Melonin.

“Narrativa tani në Itali është se nëse projekti nuk po ndodh, nuk është sepse nuk është një ide e mirë, por sepse ka gjyqtarë komunistë që po shkatërrojnë gjithçka,” tha D’Antuono, duke theksuar sulmet nga Meloni dhe aleatët e saj politikë drejtuar ndaj atij që ata pretendojnë se është, një gjyqësor me prirje progresive.

“Do të duket se të paktën ajo [Meloni] bëri më të mirën që mundi,” tha Strolenberg.

Ndërkohë, vëmendja tani po përqendrohet edhe tek institucionet si Gjykata e Drejtësisë së BE-së, vendimi i së cilës i lejoi gjykatës së Romës të kërkonte që pjesa e vogël e refugjatëve të dërguar në Shqipëri që nga tetori të kthehej në Itali.

“Parlamenti Europian po zhvendoset djathtas. Qeveritë evropiane po zhvendosen djathtas. Sa do të qëndrojë pushteti gjyqësor? Nuk besoj se do të zgjasë shumë, sepse ligjet gjithashtu evoluojnë me fuqitë politike, “tha D’Antuono./Politico


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë