Rend dhe Ligj

Qëlloi me armën e shërbimit ndaj një makine, në kërkim polici i ‘Shqiponjave’, Kolegët: Tentoi të na përplasë

Gazeta Si - Një punonjës policie është shpallur në kërkim, pasi akuzohet se ka tentuar të vrasë me armën e shërbimit dy persona.

Ndërsa dy kolegët e tij, në masë “detyrim paraqitje”, të dyshuar për "shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim", "moskallëzim krimi", "falsifikim dokumentesh" dhe "veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës", pretendojnë se qytetari ka tentuar t’i përplasë me makinën që drejtonte.

Ngjarja, e cila ka ndodhur në 8 mars të këtij viti në aksin rrugor Tiranë-Fushë Krujë, është zbardhur së fundmi nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një prej personave të përfshirë në incident.

Gjatë kallëzimit, punonjësit e policisë nuk kanë treguar se kanë përdorur armën e shërbimit. Ky fakt është zbuluar pas ekspertizës balistike që AMP ka kërkuar t’i nënshtrohen armët e shërbimit të policëve.

Një ditë më parë, Agjencia e Mbrojtjes Policore ka njoftuar se në ngjarje janë të përfshirë 3 efektivë të repartit “Shqiponja” të Policisë së Tiranës.

Mësohet se tre policët kanë ndaluar për kontroll rutinë në rrugën Tiranë-Fushë Krujë, një automjet ku ndodheshin dy persona.

Por në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme – siç thotë policia-  njëri prej tyre, efektivi Rezart Berberi, qëlloi 2 herë me armën e shërbimit në drejtim të makinës, duke vënë në rrezik jetën e shoferit dhe pasagjerit.

Shoferi u ka dhënë dokumentet dhe u ka kërkuar që të largohet, pasi sipas tij kishte fëmijën të shtruar në spital, por efektivët nuk e kanë lejuar.

Në këto kushte qytetari, pasi u ka treguar dokumentet, është larguar me shpejtësi.

Pas kësaj, polici Rezart Berberi ka nxjerrë pistoletën e shërbimit dhe ka qëlluar në drejtim të automjetit 2 herë, ku plumbat e kanë kapur në pjesën e pasme.

Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policët, duke e fshehur, prishur provat në vendngjarje dhe hequr gëzhojat.

Qytetari ka bërë kallëzimin për rastin pranë Prokurorisë së Tiranës, e cila nisi hetimet ku u vërtetua ngjarja e rëndë.

Dy efektivët me masë sigurie “detyrim paraqitje“, Elton Dokollari dhe Florian Zeneli kanë pretenduar se kanë vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

Sipas tyre, qytetari ka tentuar t’i përplasë me makinë. Polici që ka qëlluar me armë, Rezart Berberi, vijon të jetë në kërkim, në akuzë për “vrasje me dashje të mbetur në tentativë”, “falsifikim dokumentesh” dhe “kallëzim të rremë”.

Ekspertiza balistike e armëve të shërbimit të tre efektivëve të “Shqiponjave” provoi se punonjësit e policisë tejkaluan kushtet e mbrojtjes së nevojshme.

Ky përfundim u arrit pas verifikimeve të AMP, e cila më parë kishte administruar dhe deklarimet e 3 punonjësve të policisë, të cilët gjatë fazës së hetimit kanë mohuar të kenë përdorur armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur më 8 mars të këtij viti dhe Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me AMP-në e ka zbardhur pas disa muajsh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë