Gazeta Si – Një 33-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi para 4 vitesh qëlloi me armë zjarri në drejtim të një banese, duke shkaktuar jo vetëm panik, por duke vrarë edhe qenin e të zotit të shtëpisë që ndodhej në oborr.
“Në zbatim të planit të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për goditjen e veprimtarive kriminale të ndryshme, shërbimet e Seksionit Operacional të DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin N. K., 33 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”. Nga hetimet dyshohet se më datë 08.01.2020, shtetasi N. K. ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të banesës së shtetasit N. M. Si pasojë, është vrarë kafsha shtëpiake (qen) që ishte në oborrin e banesës së shtetasit N. M”, tha policia e Shkodrës në një njoftim për mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




