Njerez

Qelitë e vogla, alergji nga kotoletat… / Trafikantët shqiptarë refuzojnë ekstradimin me pretendime ‘qesharake’

Trafikantët shqiptarë po luftojnë ekstradimin në burgjet belge me pretendimin se qelitë janë aq të vogla dhe të mbipopulluara sa shkelin të drejtat e tyre njerëzore.

The Telegraph shkruan se Sabah Zeka, një shqiptar të cilit i është dhënë nënshtetësia e Mbretërisë së Bashkuar pasi ka kërkuar azil, përballet me një dënim me 12 vjet burg në Belgjikë, pasi u dënua në mungesë se i përkiste një bande të trafikimit njerëzor.

Anëtarët e grupit u kapën në flagrancë duke transportuar emigrantë të paligjshëm, duke përfshirë gra dhe fëmijë, nga Belgjika në Britani, duke u marrë atyre 10,000 paund për t’u ulur në pjesën e përparme të kamionit dhe 6,000 paund për të qenë prapa.

Duart dhe këmbët e tyre u lidhën në qese plastike për të mos lënë gjurmë gishtash dhe ata që nuk paguanin u mbajtën peng derisa e bënë këtë.

“Zeka, 41 vjeç, veproi si organizator i bandës nga shtëpia e tij në Bromley, në jug të Londrës dhe ka luftuar kundër ekstradimit që nga dënimi dhe arrestimi i tij në maj 2022”, shkruan Telegraph.

Ai ka pohuar se burgjet belge janë aq të mbipopulluara sa nuk do të kishte më shumë se tre metra katror hapësirë ​​në një qeli të destinuar për një person, por që mund të strehojë deri në tre.

Avokatët e tij argumentuan se kushtet do të shkelnin të drejtat e tij të nenit tre sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e cila ndalon torturën, trajtimin çnjerëzor dhe dënimin poshtërues.

Rasti i Zekës u dëgjua së bashku me tre kriminelë të tjerë të dyshuar që gjithashtu kërkonin të shmangnin ekstradimin në Belgjikë për shkak të burgjeve të mbipopulluara.

Dy gjyqtarë të gjykatës së lartë, Lord Justice Lewis dhe z. Justice Griffiths, hodhën poshtë ankesat e tyre mbi bazën se nuk kishte “prova të mjaftueshme”.

Por ankesa tashmë ka vonuar ekstradimin e Zekës me të paktën dy vjet që kur ai u arrestua për herë të parë në Britani në emër të autoriteteve belge.

Edhe nëse ai nuk apelon, një trafikant i dytë shqiptar po sfidon gjithashtu ekstradimin e tij në Belgjikë për të njëjtën arsye.

“Adriatik Hysenlika po përballet me ekstradimin për të vuajtur një dënim me 10 vjet burg për grumbullimin e të paktën 1 milion paund si kreu i një bande trafikimi. Grupi trafikonte emigrantë të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e pasme të kamionëve, me emigrantët që mendohet se i kishin paguar 23,000 paund”, shkruan Telegraph.

Pas një kërkese të autoriteteve belge, të cilat e kishin akuzuar Hysenlikën për 60 vepra emigracioni, ai u arrestua nga Agjencia Kombëtare e Krimit në gusht 2024.

Sipas dokumenteve të gjykatës, ai ishte “udhëheqësi i një organizate kriminale që është në shkallë të gjerë dhe që përdorte një rrjet të gjerë”.

Përveç mbipopullimit, 43-vjeçari argumentoi se dëbimi do t’i mohonte takimet me djalin e tij 2-vjeçar dhe për këtë arsye do të shkelte nenin e tetë, të drejtën për një jetë familjare sipas KEDNJ.

“Pretendime padyshim qesharake”

Chris Philp, sekretari i brendshëm thotë se këto janë pretendime të tjera absurde të bazuara në abuzimin me KEDNJ.

“Si mundet që qelitë belge të shkelin të drejtat e pretenduara të KEDNJ-së kur vetë Belgjika i nënshtrohet KEDNJ-së?. Këto pretendime qartazi abuzive kanë vonuar me vite ekstradimin e kriminelëve. Pretendime të tilla as nuk duhet të dëgjohen, e lëre më të çojnë në procese gjyqësore të shtrenjta dhe seanca të pafundme gjyqësore. Është mjaft e qartë se kriminelët dhe emigrantët e paligjshëm po lejohen të abuzojnë sistematikisht me KEDNJ-në dhe ligjet e të drejtave të njeriut. Nevojitet ndryshim themelor për t’i dhënë fund kësaj marrëzie”, thotë Philp.

Në fillim të muajit shkurt, një tjetër shqiptar kërkoi që të ti anulohet ekstradimi me pretekstin se djali i tij kishte alergji ushqimore, më specifike kishte alergji nga kotoletat e pulës.

Një gjykatë emigracioni vendosi se do të ishte “tepër e ashpër” që djali i tij 10-vjeçar, i njohur si “C” në dokumentet e gjykatës, të kthehej në Shqipëri me të atin për shkak të ndjeshmërisë ndaj ushqimit.

Burimet: The Telegraph, Independent. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë