Art dhe Kulture

Që e shkuara të mos përsëritet – Shtëpisë me Gjethe i dorëzohet çmimi nga Këshilli i Europës

Në një ceremoni në oborrin e pasmë të godinës, e ndriçuar në gjysmë dhe gjysmë e errët, si e shkuara që fshehu për gjysmë shekulli e që synon të zbulojë së fundi, Shefja e Zyrës së Këshillit të Europës i dorëzoi “Shtëpisë me Gjethe” çmimin si “Muzeu i Këshillit të Europës 2020” – një certifikatë që do të afishohet në muret e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve.

I çelur për vizitorët më 2017-n , me një vendndodhje paradoksale përballë Katedrales ortodokse “Ringjallja e Krishtit” , Selia Qendrore e Shërbimeve Sekrete nga viti 1941 -1991, u mendua si një atraksion kulturor për të rrëfyer të vërtetën e së shkuarës, për të huajt por edhe për brezat e rinj, duke i bërë tmerret e kohës më të prekshme përmes muzealizimit.

E ndërtuar në vitin 1931, kjo shtëpi, pati fillimisht funksionin e një klinike obstetrike me nismën e mjekut të shquar shqiptar Dr. Jani Basho. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s. Në vitet e para të pasluftës kjo shtëpi u përdor si qendër hetuesie, pra dhe si vend ku bëheshin tortura dhe ka qëndruar si e tillë deri në vitin 1948 kur u prishën marrëdhëniet me ish Jugosllavinë.

Nga vitet ‘50, funksionet e ndërtesës ndryshuan. Këtu u vendos selia e degës tekniko-shkencore të Sigurimit të Shtetit, e cila merrej kryesisht me përgjimin elektronik, me kontrollin e telefonave dhe me kontrollin postar si edhe një degë e cila merrej me ndjekjen e të huajve deri në shkrirjen e Sigurimit të Shtetit në vitin 1991. Sigurimi i Shtetit (Policia sekrete) u përdor për të shtypur popullsinë, për të eliminuar fraksionet dhe grupet e ndryshme brenda partisë komuniste si dhe opozitën jashtë saj. Ai u përdor për të mbajtur në këmbë regjimin totalitar. E mbuluar me bimët kacavjerrëse, godina që kishte marrë përmasat e një përbindëshi mitologjik, të cilit të gjithë i shmangeshin edhe nga të vështruarit, arriti të injektojë thellë frikën dhe tmerrin tek shqiptarët.

“Nëse “198h” nuk do të ishte shkruar nga George Orwell më 1949, shumëkush prej nesh do të mendonte se nxitjen do ta kishte marrë pikërisht nga ky vend, ku një Vëlla i Madh arrinte të vëzhgonte gjithçka nga shtëpia me gjethe”, do të thoshte gjatë ceremonisë ministrja e Kulturës Elva Margariti, e cila do të citonte studiuesin shqiptar Gëzim Qëndro, i cili qe edhe pjesë e grupit të punës për ideimin dhe ngritjen e muzeut se Shtëpia me Gjethe shërben si lopata për të gërmuar në arkivat e së kaluarës.

“Shpallja e Shtëpisë me Gjethe si Muzeu i Këshillit të Europës 2020, është dëshmia që deformimi njerëzor që zinte fill këtu, u shndërrua po këtu në atë pikën e ujit që përditë e përditë zgjon kujtesën tonë dhe na tregon se nuk jemi përgjumur prej së përditshmes, nuk kemi lejuar që e shkuara të përsëritet dhe pikërisht këtu u kujtojmë të rinjve se liria e demokracia nuk janë një e dhënë e përjetshme, por duhen mbrojtur çdo ditë”, do të përfundonte Margariti.

Të hezitosh ta ballafaqosh të shkuarën, është të shtysh për më tutje çlirimin prej saj, do të thoshte kryeministri Rama i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të çmimit.

Duke sjellë dy shembuj, të një të riu të lindur në vitet ’90 dhe të të huajve – përkatësisht princi Albert i Monakos ish-presidenti francez Sarkozy – që e kanë vizituar muzeun, kreu i qeverisë theksoi impaktin e madh që kanë jo vetëm Shtëpia me Gjethe, por edhe dy muzetë BunkArt në shpalosjen e historisë.

“Besoj se është impakti fizik i kujtesës, është ndjesia e prekshme e mureve, objekteve, atmosferës, aromës që i flet në mënyrë shumë më efikase, dikujt që nuk e ka jetuar atë kohë, që ka lindur më pas apo që në atë kohë ka jetuar diku tjetër. Për këtë besoj që është aq efikas tek gjermanët e Perëndimit po tek perëndimorit që vizitojnë Berlinin, Muzeu i “Check Point Charlie”, që përmes së njëjtës rrugë u bëhet njerëzve e dukshme, e prekshme, e pranishme ajo që ka qenë jeta e të tjerëve në një kohë kur ata nuk kanë jetuar, ose kanë jetuar një jetë tjetër”, u shpreh kreu i qeverisë. Duke vlerësuar çmimin prestigjioz mes 60 muzeve të ndërtuar në tre vitet e fundit, Rama nuk e anashkaloi edhe njëherë debatin që ka shkaktuar në vend ngritja e muzeve që zbulojnë tmerret e regjimit komunist.

“Jo se ka qenë nevoja në fakt, por i jepet dhe një përgjigje tjetër atyre që nuk kanë lënë fjalë pa thënë dhe nuk kanë lënë sherr pa nxitur kundër kësaj përpjekjeje, që është materializuar jo vetëm te Shtëpia me Gjethe, por edhe tek BunkArt i parë dhe BunkArt i dytë dhe tek vetë Autoriteti i Dosjeve, që u ndërtua prej nesh pikërisht për të thelluar vështrimin mbi këtë pjesë kaq të zymtë të së shkuarës sonë”.

Rama përmendi disa nga muzetë që janë vlerësuar nga Këshilli i Europës si Muzeu i Fëmijëve të Luftës në Sarajevë, më 2018-s apo Muzeu i Artit Otoman, në Trapzon të Turqisë, më 2014-, që megjithë kontroversialitetin “atje nuk u ngut njeri të protestojë e nuk ka pasur kundërshti politike të tipit se po i bëhet një himn Sllobodan Milosheviçit dhe askush nuk është ngritur të thotë se Këshilli i Europës po vlerëson nostalgjinë për Perandorinë Osmane”, vijoi Rama, duke e krahasuar komunizmin me një fatkeqësi bërthamore, me dy faza. “…një të llahtarshme kur ndodh dhe një fazë tjetër, të ngadaltë kur shfaqet hap pas hapi në formën e deformimeve qe shkaktohet pas fazës së parë e fatkeqësisë që është shpërthimi dhe dalja nga kontrolli e të gjithë elementëve deformues, që janë të padukshëm. Janë në ajër, por që e bëjnë të pajetueshme një hapësirë të tërë.

Duke hyrë në politikë, kryeministri u shpreh se ambasadorët e huaj- disa syresh në pranishëm gjatë ceremonisë- që shpesh u duhet të hyjnë mes sherrnajës së politikës së brendshme nuk e kuptojnë se kjo është e trashëguar.“Askush nuk na ka mësuar të kundërshtojmë në mënyrë civile dhe të bashkëjetojmë e të kundërtat, sepse të kundërtat kanë qenë armiqësore…’, tha Rama.

Pasi e cilësoi si në nga gjërat më të mira të qeverisjes së tij, ku nuk harroi të përmendte ish-ministren Kumbaro për realizimin e projektit, Rama do të kujtonte fjalët e Papa Gjon Palit II më 1994-n, se kujtesa është një hap i pashmangshëm për të ndërtuar të ardhmen, duke mos përsëritur gabimet e së shkuarës.

Drejtoresha e muzeut “Shtëpia me Gjethe”, Etleva Demollari tha aplikimi dhe plotësimi i dokumenteve për të hyrë në këtë garë të çmimit të muzeve. Muzeu tentoi garën edhe më 2018-n, por siç pranoi Demollari, nuk ishte ende gati.

“Procesi garës vazhdon me vizita të jurisë. Vizita e parë ishte e Metka Fujs, e dyta ishte nga kryetari i jurisë, Marc O’Neil dhe vizita e tretë ishte anonime. Jemi kuriozë të dimë se ka kaluar nën hundën tonë pa u diktuar dhe ku, këtu ku ishte vendi i përgjimit dhe ruajtjes nga armiqtë e jashtëm”, tha Demollari, ndërsa ceremoninë e përshëndeti edhe presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Rik Daems.

“Shtëpia e përgjimeve sekrete është zgjedhja e përkryer”, u shpreh Daems, duke shtuar se ky muze i përgjimit çon tek ditët e errëta të së shkuarës, që nuk duhet të përsëriten më.

Edhe Roberto Rampi, i cili është pjesë e komitetit përzgjedhës të çmimit, përmes një video mesazhi tha se shqiptarët kanë qenë kurajozë në përballjen me të shkuarën.

Çmimi i Muzeut i Këshillit të Evropës i është dhënë çdo vit, që nga viti 1977, një muzeu që gjykohet të ketë dhënë një kontribut të rëndësishëm në kuptimin e trashëgimisë kulturore evropiane, promovimin e respektit të të drejtave të njeriut dhe demokracisë, urave të kulturave, tejkalimit të kufijve social dhe politik, zgjerimin e njohjes dhe kuptimit nga vizitorët të çështjeve bashkëkohore shoqërore dhe eksplorimin e ideve të qytetarisë demokratike.

“Ky çmim u jepet atyre muzeve që advokojnë fort për të drejta e njeriut dhe demokracinë, që promovojnë larminë e dialogut për të kultivuar një ndjenjë identiteti dhe kulture të ndërsjellë”, tha shefja e Zyrës së Këshillit të Europës, Jutta Gutzkow, duke përfunduar me fjalët e William Faulkner se e kaluara nuk është kurrë e vdekur. Nuk është as e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë