Nga Gazeta “SI”- Piktura me afresk është një teknikë e pikturës murale, ku pigmentet me bazë uji aplikohen mbi një shtresë të hollë suvaje që është ende e lagësht.
Suvaja duhet të mbetet e lagësht gjatë kohës që piktori punon mbi të. Prandaj, ajo aplikohet vetëm në sipërfaqen që artisti parashikon të përfundojë brenda një dite pune.
Piktori duhet të punojë me siguri dhe shpejtësi, pasi kjo teknikë, ndryshe nga të tjerat, nuk lejon korrigjime të mëvonshme. Afresku është një traditë e lashtë e pikturës, por lidhet më së shumti me artin e Rilindjes Italiane.
Afreskët në Kapelën Scrovegni në Padova janë më të mirët që kanë mbijetuar nga Giotto dhe konsiderohen si kryevepra e tij më e madhe me afreske. Cikli përshkruan ngjarje nga jeta e Virgjëreshës Mari dhe e Krishtit.
Përpjekje për ruajtjen e kapelës
Në vitin 1880, qyteti i Padovës mori në pronësi Kapelën Scrovegni. Gjatë shekujve XIX dhe XX, afreskët janë restauruar disa herë. Që nga vitet 1970 e deri më sot, ndërtesa, cilësia e ajrit në të, faktorët ndotës dhe vetë afreskët janë studiuar dhe monitoruar me kujdes.

Në hyrje u ndërtua një sallë pritjeje e posaçme me kondicionim ajri. Kjo është një lloj “njësie dekontaminimi”, ku 25 vizitorë kalojnë 20 minuta duke ndjekur një video hyrëse mbi përmbajtjen dhe ruajtjen e Kapelës Scrovegni, përpara se të hyjnë brenda, për të shmangur dëmtimin e afreskëve. Brenda, vizitorët mund të admirojnë pikturat e brishta për 15 minuta, përpara se grupi tjetër të hyjë.
Giotto
Giotto di Bondone ishte një piktor italian i lindur rreth vitit 1267 në Toskanë. Ai punoi në mbarë Italinë, por kryesisht në Firence dhe konsiderohet si artisti i parë që u largua nga stili bizantin dhe iu afrua natyralizmit, duke krijuar ndjesinë e hapësirës që nuk është më e sheshtë.
Ai pikturoi njerëz të vërtetë me fytyra të ndryshme dhe krijoi përshtypjen e thellësisë dhe objekteve tredimensionale. Për këtë arsye, Giotto konsiderohet edhe si “babai” i artit të Rilindjes.
Në vitin 1334, ai u emërua drejtues i punishtes së katedrales së Firences , një nder që deri atëherë u jepej vetëm skulptorëve dhe arkitektëve. Kur vdiq më 1337, Giotto ishte një artist i pasur, i famshëm dhe i suksesshëm.

Puthja
Afresku i Giottos “Takimi te Porta e Artë” paraqet momentin kur Joakimi dhe Ana sapo kanë marrë lajmin nga një engjëll se, pas shumë vitesh infertiliteti, do të kenë një fëmijë.
E gjithë skena zhvillohet në plan të parë. Figurave të thjeshta dhe të mëdha, të mbledhura ngushtë, u përshtatet një kompozim që pasqyron në mënyrë të përsosur emocionin e subjektit. Arkitektura e portës së madhe, me harkun e rrethuar në ar, krijon një kornizë të thjeshtë për ngjarjen.
Personazhet e Giottos shprehin ndjenja. Katër figura femërore shikojnë drejt çiftit të lumtur. Me kokat pak të anuara, ato i drejtojnë edhe vështrimin e shikuesit. Joakimi dhe Ana përkulen drejt njëri-tjetrit, përqafohen dhe puthen.

Në kontrast me këtë skenë të ngrohtë dhe emocionale, një grua e veshur me të zeza shikon e hutuar në një drejtim tjetër, ndoshta një paralajmërim për ngjarjet e zymta që do të pasojnë.
Arti i Giottos duhet t’u jetë dukur thuajse i mrekullueshëm bashkëkohësve të tij, sepse format e tij ishin aq të gjalla sa mund të ngatërroheshin me realitetin. Edhe pse sot mund të na duken pak naive, në kohën e vet ishin revolucionare.
Në vitin 2021, Kapela Scrovegni u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Burimi: “Daily Art Magazine”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



