Drejtësia

Pushohet hetimi ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla për fshehje pasurie, pasi ishte dënuar një herë

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka pranuar kërkesën e SPAK për të pushuar hetimin e çështjes ndaj Adriatik Llallës për akuzën e fshehjes së pasurisë. Duke qenë se ish-kryeprokurori është dënuar njëherë për këtë akuzë, SPAK kërkoi pushimin e kësaj akuze.

Në shtator të vitit të kaluar Llalla u dënua me dy vite burg, si dhe 5 vite të tjera heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike.

Llalla aktualisht ndodhet në arrest shtëpie në Itali pas kërkesës së SPAK për ekstradim, aty ku duket se po zhvillon një betejë të fundit për të shmangur vuajtjen e dënimit me burg dhënë nga Gjykata e Apelit.

Ish-kryeprokurori po mbahet në liri me kusht në Itali, që do të thotë se nuk mund të lëvizë pa lejen e autoriteteve fqinje.

Akuzat ndaj Llallës u rrudhën dhe SPAK njoftoi më 9 mars 2021 përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.

Më 20 maj 2021, Llalla u dënua në shkallë të parë me 2 vjet burg. Ndërkohë me vendim gjykate, atij iu konfiskua edhe një apartament në Durrës si dhe rreth 11mijë m2 toke are, të cilat nuk i justifikonte.

Ish-kreu i organit të akuzës, u dënua më pas në shtator 2021 nga Gjykata e Apelit me 2 vite burg për akuzën e “Mos deklarimit të pasurisë” në 3 raste, dënim ndaj të cilit ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Llalla, u largua nga Shqipëria vetëm pak ditë para se Apeli të jepte dënimin e formës së prerë, ndërsa nga arratia, nëpërmjet avokatit të tij kërkoi dy herë pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg me argumentin se është në gjendje të rëndë shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë