Vende dhe Udhetime

Pushime me vaksina / Nga Maldivet në Alaskë dhe Dubai, kush iu ofron doza turistëve

Fenomeni i “turizmit të vaksinimit” vazhdon të rritet. Dhe gjithnjë e më shumë vende po ofrojnë paketa të vërteta turistike që përfshijnë vaksinimin.

Ato variojnë nga destinacione ekskluzive, si Dubai ose Mauritius, në destinacione më të afërta dhe më të lira si Rusia. Por Alaska shpreson gjithashtu që kjo strategji do ta lejojë atë të rifillojë turizmin.

Vera në Maldive? Vendi do të ofrojë vaksinën për turistët

Maldive

Maldivet, ishujt e Oqeanit Indian, të cilat kanë qenë gjithmonë ndër destinacionet më të njohura për turistët nga e gjithë bota, do t’u ofrojnë udhëtarëve mundësinë e vaksinimit pas mbërritjes. Kjo nismë është pjesë e strategjisë “2V”, (vizitoni, vaksinohuni), të cilën qeveria e Malé-së synon të ndjekë për të ringjallur sektorin e turizmit, nga i cili rrjedh afërsisht 67% e PBB-së së arkipelagut.

Ministri i Turizmit, Abdulla Mausoom, shpjegoi për CNBC se përparësia është vaksinimi i popullsisë rezidente por, pasi të përfundojë procesi, vendi do të jetë i gatshëm të vaksinojë edhe turistë.

“Unë nuk mendoj se furnizimi është një problem, sepse popullsia jonë, është relativisht e vogël, – tha Mausoom, – pjesa që ne marrim nga organizata të ndryshme dhe kombet miq, do të na ndihmojë”.

Ministri theksoi se kjo shtytje është thelbësore për të siguruar që vendi të arrijë 1.5 milionë mbërritje turistike këtë vit. Mausoom nuk specifikoi nëse turistët do të duhet të paguajnë për vaksinimin apo jo.

Mauritius, vizë “Premium” dhe vaksinë ‘AstraZeneca’

Mauritius

Në Mauritius, nga ana tjetër, vaksinimi është falas dhe mund të merret me vizë. Republika ishullore e Oqeanit Indian, njoftoi në mars se kishte zgjeruar mundësinë e vaksinimit për të gjithë vizitorët afatgjatë mbi moshën 18 vjeç.

Për t’u vaksinuar, mjafton të marrësh vizën “premium”, e cila është ajo që lejon turistët ndërkombëtarë të kalojnë deri në 12 muaj në vend dhe është e rinovueshme.

Dokumenti u jepet atyre që kanë planifikuar të kalojnë të paktën 180 ditë në Ishujt Mauritius, kanë rezervuar tashmë strehim dhe vërtetojnë se kanë të ardhura në një vend tjetër. Sigurimi i udhëtimit dhe shëndetit është gjithashtu i nevojshëm. Përveç kësaj, para se të niseni, duhet të keni bërë tamponin për Covid 19 dhe pas mbërritjes, të respektoni një karantinë 14-ditore.

Një faqe e dedikuar, ofron të gjitha detajet. Sapo të mbërrini, ju do të kontaktoheni nga autoritetet për të marrë vaksinën “AstraZeneca” të prodhuar në Indi.

Karaibe, doza të shumta për të vaksinuar banorët dhe jorezidentët

Karaibe

Plazhe, ‘mojitos’ dhe vaksina. Paketa e pushimeve gjithëpërfshirëse (tani edhe me vaksina), është gjithashtu një praktikë e përhapur në Karaibe. Qeveria e ishujve Barbados, ka njoftuar se ka ndërmend të ofrojë vaksinime Covid-19 për vizitorët, duke filluar në maj.

“Për të siguruar një mbrojtje të gjerë, qeveria ka bërë të ditur se ajo synon të kapë më shumë doza të vaksinës për njerëzit në ishull, pavarësisht nëse ata janë qytetarë ose jo, deri në fund të prillit ose në fillim të majit 2021”, – tha Bordi i Turizmit në Barbados në sitin e udhëtimit “Travel Off Path”.

Qeveria nuk ka dhënë ende ndonjë detaj tjetër. Prandaj nuk dihet nëse kjo do të zbatohet vetëm për banorët afatgjatë ose gjithashtu për të tjerët.

Po ashtu, Ishujt e Virgjër kanë vendosur t’u ofrojnë turistëve një pjesë të dozave të tyre. Nga 1 marsi, të gjithë ata mbi 16 vjeç, kanë të drejtë të marrin vaksinën, kështu që udhëtarët, nuk rrezikojnë as të presin në varësi të moshës së tyre.

Siç raportohet nga gazeta “New York Times”, ishin kryesisht amerikanë të pasur që përfituan nga kjo mundësi.

Emiratet e Bashkuara Arabe, udhëtime luksoze gjithëpërfshirëse

Emiratet e Bashkuara Arabe

Një destinacion tjetër për turizmin e vaksinave, janë Emiratet e Bashkuara Arabe. Rasti më i njohur është ai i “Knightsbridge Circle”, një lloj agjencie luksoze udhëtimesh me qendër në Londër (tarifa vjetore e regjistrimit është 28 mijë euro), e cila ka vendosur të organizojë “pushime të vaksinuara” për njerëzit mbi 65 vjeç në Dubai.

Themeluesi i klubit, Stuart McNeill, me krenari pretendoi në një intervistë për “The Telegraph”, se ai ishte “pioneri i këtij programi luksoz të udhëtimit”.

Udhëtimi me fluturimin e klasit të parë të “Emirates”, dhe qëndrimi në hotelin “Jumeirah Beach”, kushton 40 mijë paund (afërsisht 46 mijë euro), ndërsa kostoja e vaksinës, përfshihet në tarifën e regjistrimit të klubit.

Duke marrë shumë kërkesa, klubi ka vendosur të krijojë një paketë edhe për jo anëtarët, të cilët me 10 mijë paund (11.200 euro), mund të kenë akses për vaksinim përfshirë shërbimin e transportit, por duhet të paguajnë për udhëtime dhe akomodim.

Rusia, pushime me “Sputnik”

Rusi

Midis vendeve që kanë hapur kufijtë e tyre për turistët të etur për të marrë vaksinën, duke dalë jashtë radhe, është edhe Rusia.

Shpenzimet janë relativisht të përballueshme, shpjegoi Pietro Di Febo, drejtori i një agjencie udhëtimesh në Bolonjë, i cili ka vendosur të ofrojë paketa të veçanta udhëtimi. Fillon nga 1,700 euro e lart. Agjencia norvegjeze e udhëtimit “World Visitor”, gjithashtu ofron udhëtime në Rusi për turistë nga Evropa Veriore.

Klientët, shpjegon faqja gjermane e lajmeve “Deutsche Welle”, mund të zgjedhin nga një numër ofertash që përfshijnë marrëveshje për të marrë vaksinën “Sputnik V”.

Një opsion, duke filluar nga 1,199 €, përfshin dy udhëtime të shpejta brenda një muaji për të marrë të dy dozat. Një paketë e dytë, duke filluar nga 2,999 €, përfshin një qëndrim 22-ditor në një vendpushim shëndetësor rus, me një dozë që administrohet në fillim dhe një në fund të udhëtimit.

Oferta e tretë, përfshin një udhëtim në një hotel termal në Turqi, me një ndalesë në një aeroport rus me vaksinimin në terminal.

Serbia ndalon pas hapjes për të huajt

Serbi

Deri disa javë më parë, madje edhe në Serbi, të huajt, me banim në vend dhe jo vetëm, mund të kërkonin të vaksinoheshin. Por më pas, qeveria vendosi të tërhiqet, duke kufizuar mundësinë e vaksinave për serbët.

Më parë, jo vetëm qytetarët e vendeve fqinje (boshnjakë, maqedonas, malazezë, shqiptarë dhe kosovarë), por edhe italianë dhe evropianë, kishin arritur në Beograd për t’u vaksinuar.

Mjaftonte që të plotësohej pyetësori i rezervimit në internet (në serbisht dhe alfabet cirilik), në portalin “eUprava”. “Nga fillimi, ne kemi lejuar shtetas të huaj, rezidentë dhe jo-rezidentë në Serbi, të rezervojnë në portalin “eUprava”, por tani jemi përqendruar në vaksinimin e shtetasve serbë”, – tha Mihailo Jovanoviç, kreu i portalit, duke konfirmuar pezullimin e përkohshëm të administrimit të vaksinës tek të huajt. “Kur të kemi vaksinuar serbët, – specifikoi ai, – atëherë do të jetë radha e shtetasve të huaj”.

Alaska fillon në qershor

Alaskë

Guvernatori i Alaskës, Mike Dunlevi, njoftoi se nga 1 qershori, vaksinat kundër Covid-19 do të jenë në dispozicion në aeroportet kryesore të vendit, më veriorja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes kësaj iniciative, Danlevi shpreson të rifillojë turizmin, në fakt vaksinimi, që “mund të jetë një arsye tjetër e mirë për të ardhur në Alaskë në verë” (gjithashtu, sepse në pjesën tjetër të vitit kushtet e motit janë shpesh jo mikpritëse).

Në Alaskë, rreth 40% e atyre që kanë të drejtë për një vaksinë, mbi 16 vjeç e lart, tashmë është vaksinuar.

Heidi Heidberg, drejtori i Departamentit të Shëndetit Publik, shpjegoi se shteti ka një sasi të madhe të dozave në dispozicion dhe se orari i vaksinimit në aeroporte parashikon dy doza të vaksinës “Pfizer” ose “Moderna”.

Rasti i Floridas

Florida

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishin një nga vendet e para që mësuan në lidhje me fenomenin e turizmit të vaksinave, por në këtë rast lëvizjet ndodhën brenda vendit.

Uashingtoni, në fakt, pasi filloi fushatën e vaksinimit, urdhëroi shtetet individuale ta administronin atë në territoret e tyre. Dhe secili shtet ka hartuar listat e pritjes në mënyrë të pavarur, duke u dhënë përparësi kategorive të ndryshme.

Kështu, që shumë njerëz u zhvendosën në shtetet, ku fushata e vaksinimit po përparonte më shpejt.

Destinacioni më i popullarizuar për këtë lloj turizmi, ishte Florida e cila, pasi u sulmua nga udhëtarët amerikanë të ardhur nga shtetet e tjera, duhej të specifikonte se do të vaksinonte vetëm banorët e vet  dhe ata sezonalë.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë