Njerez

Punonjësit e shërbim gjelbërimit: Të vaksinohemi, jemi të rrezikuar çdo ditë

Nga Anxhela Çelanji - “Deri kur të na vijë radha ne të marrim vaksinën kushedi sa herë do infektohemi. Ne duhet të ishim ndër të parët që bënim vaksinën, jemi në mes të pisllëkut, kapim lloj-lloj plehrash me dorë. Po radha jonë kur do të jetë”, tha Nexhmija për Gazetasi.al, një punonjëse e mirëmbajtjes së rrugëve në qytetin e Tiranës.
Tek sa fshinte një nga rrugët në qendër të Tiranës ajo i tha Gazetasi.al se i ka dëgjuar lajmet përditë dhe asnjë nuk ka folur për punëtorët e pastrimit për të bërë vaksinimet.
“Deri tani shyqyr zotit nuk jam infektuar, por kam shumë frikë. Në shtëpi vetëm unë punoj dhe po u preka çfarë do hamë pastaj?”, shprehet ajo.
Por Nexhmija nuk është e vetmja punonjëse e pastrimit që ka këtë problem.

Në vijimësi të rrugës një grup tjetër punonjësish ishin të shqetësuar për vaksinat. Ata bisedonin me njëri-tjetrin se duhet të kishin qenë ndër prioritetet e qeverisë për t’u vaksinuar. Njëri prej tyre i tha Gazetasi.al se gjatë gjithë këtij viti ka jetuar me frikë se mos çon koronavirusin në shtëpi prindërve të tij. Ai ishte i shqetësuar se puna e tyre është e rrezikshme sepse, ndryshe nga të tjetër, ata kanë kontakt me mbetjet dhe mund të rrezikohen nga një shumëllojshmëri sëmundjesh.
“Po të ishte për mua nuk e bëja fare vaksinën, por ca të bëj se kam njerëz në shtëpi që duhet t’i mbroj. As prindërit e mi nuk i kanë marrë sepse presin të ulet fasha e moshës, po sa të mbarojnë këta e të na vijë radha ne, nuk dihet”, tha ai.
Ndërkaq punëtorët me të cilët Gazetasi.al komunikoi shpjegojnë se grupmosha e personave që janë punonjës mirëmbajtje është 35-50 vjeç, një moshë e cila do të jetë edhe për shumë kohë në pritje për marrjen e vaksinave.

“Ne ndoshta nuk kemi kontakt me njerëz, por jemi në kontakte më të rrezikshme. Qyteti ka mbeturina shumë dhe kemi shumë punë. Ne punojmë nga mëngjesi në darkë se lëvizim në shumë zona. Vetëm këtë të kishin menduar se dhe ne jemi njerëz. Duhet të ishim ndër të parët që të merrnim vaksinën sepse jemi mes pisllëkut dhe infeksionit. O jemi ne ose nuk është asnjë tjetër”, i tha Bedriu Gazetasi.al


Ai më tej tregoi se ai së bashku me kolegët e tij nuk kanë munguar kurrë kur janë dashur aksione pastrimi dhe as gjatë periudhës së karantinës. Bedriu thotë se gjithë kohës kanë qenë në gatishmëri e nuk e kanë lënë punën asnjëherë, madje dhe dorashkat dhe maskat që për ta janë shumë të rëndësishme i kanë marrë vetë me leket e tyre, por vaksinën duhet ta kishin bërë ndër të parët.

Nga të dhënat e raportuara nga Bashkia e Tiranës, qyteti është i ndarë në 7 zona pastrimi (3 zona lindore, 3 perëndimore dhe Zona e Kuqe në qendër të Tiranës), ku operojnë 5 operatorë privatë me kontrata përkatëse sipërmarrjeje. Rreth 148 kontenierë në ditë tërhiqen për t’u larë e dezifektuar dhe rreth 688 tonë mbeturina në ditë depozitohen në Landfillin e Sharrës. Rreth 98.3%, këto janë mbetje urbane (mbetje të prodhuara nga aktiviteti i njeriut) e një pjesë e papërfillshme inerte e dhera. Ndërkaq deri në vitin 2018 numri i punonjësve të pastrim gjelbërimit ka qenë rreth 560, ndërsa tani nuk ka një përcaktim të saktë të numrit të tyre.

Sa janë të rrezikuar këta persona nga Covid-19?
Mjekja e përgjithshme Moza Bushi i tha Gazetasi.al se punonjësit e pastrimit janë të rrezikuar nga Covid-19 dhe duhet të jenë të kujdesshëm në punët e tyre. Ajo shpjegon se pacientët e saj që janë pjesë e kësaj kategorie punonjësish më së shumti vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes.
“Gjatë gjithë kohës këta punonjës duhet të jenë të siguruar sidomos me maska dhe doreza të trasha”, shpjegon mjekja.
Por pavarësisht rrezikut mjekja thotë se këta persona nuk duhet të jenë ndër prioritet për t’u vaksinuar sepse duhet të vaksinohen ata që kanë kontakt me njerëzit. Ndërkaq ndryshe nga këshillat mjekësore punonjësit e pastrimit dhe gjelbërimit e shikojnë si domosdoshmëri marrjen e vaksinës sa më herët.
Në një reportazh të mëparshëm, Gazetasi.al ka konstatuar që punonjësit e pastrimit dhe gjelbërimit kanë punuar edhe pa maska e doreza. Ata kanë treguar edhe më herët se shëndeti i tyre nuk është respektuar as kur kanë punuar me orare të zgjatura dhe janë paguar me një shifër qesharake për këto orare, rreth 30 lekë, që nuk është as gjysma e çmimit me të cilin shiten maska në farmaci. Studime të ndryshme kanë vërtetuar se Covid-19 qëndron për kohë të gjatë në sipërfaqe dhe objekte të ndryshme. Sipas studimeve, Covid-19 jeton për 72 orë në plastikë dhe metal dhe 24 orë në objektet e përbërë nga bakri, letra dhe druri.
Nën petkun e shqetësimit këta punonjës vijojnë punën duke ndjekur programin e tyre ditor, ndërkohë edhe pse kanë pyetur se kur do të jetë radha e tyre për vaksina, ata nuk kanë marrë një përgjigje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë