Vende dhe Udhetime

Punëtorët e Suedisë që shpikën “të shtunën e vogël”

Ndërsa java duket si një përjetësi dhe njerëzit mezi presin fundjavën, përqafimi i një tradite nordike mund të japë arsye për të festuar.

Harpo Adolfsson, një punonjës 63-vjeçar në një hotel në Suedinë veriore tregon se punon deri në 12 orë.

“Puna bëhet shumë e lodhshme dhe ndonjëherë mezi pres fundjavën”, tregon ai.

Katër vjet më parë, Adolfsson dhe disa kolegë të tij filluan takimin natën e së mërkurës për të prishur javën e punës. Ata bëjnë takime në çdo shtëpi me radhë ku çdokush gatuan diçka.

Adolfsson thotë se takimet e së mërkurës, të mbushura me ushqime të mira dhe biseda, i mbajnë shpirtrat gjallë, sidomos në dimër që errësohet shpejt.

Takimet e Adolfsson janë një shembull i praktikës së ‘E shtuna e vogël’, ose lillördag. Është një traditë kulturore nordike në të cilën të mërkurat konsiderohen si mundësi për festime të vogla si fundjava. Sipas Rickard Grassman, pedagog në Universitetin e Stokholmit, kjo vjen që kur shërbëtorët dhe shërbëtoret punonin të shtunave dhe kishin një ditë jave në vend të kësaj.

"Që atëherë njerëzit zgjidhnin ditën e mërkurë si një lloj pushimi i vogël në mes të javës", thotë Grassman.

Ndërsa pandemia ka mjegulluar vijën midis ditëve të punës dhe fundjavave, huazimi i kësaj tradite mund të jetë një mënyrë për të kaluar javën dhe të krijojë pak relaks.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë një kohe kur vendosja e përparësive për shëndetin dhe lumturinë është më e rëndësishme se kurrë. Koha shtesë për ta trajtuar veten me të shtunat e vogla është një fillim i mirë për të parë përpara me optimizëm”, thotë Grassman.

Jo çdo suedez merr pjesë në lillördag, por shumica e praktikon dhe thonë se pushimi i mesjavës është shumë i rëndësishëm.

E shtuna e vogël mund të jetë gjithashtu një mbrëmje e qetë me familjen dhe miqtë ose ndonjë justifikim për të përkëdhelur veten. Në Instagram, dhjetëra mijëra postime të etiketuara #lillördag hidhen çdo të mërkurë.

Sipas Constanze Leineweber, profesor në Institutin e Kërkimit të Stresit të Universitetit të Stokholmit, perceptimi i së mërkurës si e shtuna e vogël mund ta bëjë punën më të lehtë, veçanërisht tani kur ditët në izolim duket se mjegullohen.

"Diçka si të shtunat e vogla mund të jetë mjaft e zgjuar si zgjedhje për të ndihmuar njerëzit të krijojnë lehtësira dhe të mbushin edhe kur ndihen të humbur", shton ajo.

“Ndërsa Suedia renditet e para në Indeksin e Barazisë Gjinore të BE-së 2020, gratë janë ende në një rrezik më të madh për rraskapitje emocionale për shkak të mungesës së ekuilibrit punë-jetë”, thotë Leineweber, e cila studion “konfliktin” punë-familje në vendet nordike. Hulumtimi i saj tregon se gratë kanë më pak të ngjarë se burrat që të përdorin kohën e tyre jashtë punës për relaksim, përkundrazi duke u përqendruar në kërkesat e familjes.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë