Nga Gazeta ‘SI’- Në tremujorin e fundit, punësimi në vend ka rënë me 0.8 p.p krahasuar me tremujorin paraardhës, raporton INSTAT. Në raport vjetor është rritur me 1.6 pikë përqindje.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, në tremujorin e katërt 2024 për popullsinë 15-64 vjeç, është 75.5 % me një rritje vjetore 1.2 p.p dhe ulje tremujore me 0.4 p.p.
Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 69.1 %, ndërkohë për burrat ky tregues është 82.2 %.
INSTAT tregon se nga tremujori i tretë në të katërtin, punësimi në bujqësi është ulur me 2.3%, në industri me 2.4% dhe në shërbime me 0.9%. Në terma vjetorë, punësimi u rrit me 1% në sektorin e bujqësisë, me 3.6 % në sektorin e industrisë dhe me 1.5 % në sektorin e shërbimeve.

Papunësia
Papunësia për popullsinë 15 vjeç e lart, është 8.8 %, më rënie vjetore 0.8 p.p, por rritje tremujore me 0.7 p.p. Shkalla e papunësisë për burrat është më e vogël, 8% dhe për gratë më e madhe, 9.6%.
Papunësia tek të rinjtë, grupmosha 15-29 vjeç, është më e lartë se në moshat tjera të forcës së punës, 19.1%. Krahasuar me një vit më parë papunësia është ulur me 2.1 p.p, por me tremujorin paraardhës është rritur me 1.4%. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 1.7 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7.3 %. 4.1 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
17.8% e popullsisë jo-aktive dhe në moshë pune po përmbush detyrat shtëpiake, nënvizon INSTAT.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.