Njerez

Punë me më pak orë dhe më shumë para, të rinjtë shqiptarë larg universiteteve, drejt vetëpunësimit dhe sipërmarrjes

Nga Gazeta Si- Në pesë vitet e fundit, në Shqipëri është vënë re një trend në rritje e të rinjve në mënyrën si e shohin të ardhmen e tyre profesionale.

Kërkesat për të ndjekur studime universitare po bien ndjeshëm, ndërsa gjithnjë e më shumë të rinj po orientohen drejt rritjes së aftësive dhe formimit profesional, duke preferuar vetëpunësimin, freelancer dhe nismave të vogla private.

Ekspertët e çështjes së punësimit e lidhin këtë trend me kërkesat reale të tregut vendas dhe të huaj dhe mundësitë që ofrohen.

“Të rinjtë sot mendojnë ndryshe. Janë më praktikë, kërkojnë punë që ofrojnë më shumë të ardhura, fleksibilitet dhe kushte më të mira, duke shfrytëzuar aftësitë që kanë zhvilluar vetë, në vend që të presin një diplomë për t’u punësuar,”, shprehet për Gazetasi.al, eksperti i punësimit, Erion Muça.

Eksperti i punësimit, Erion Muça.

Tregu po ndryshon, arsimi jo

Muça thekson se mungesa e garancisë për punësim pas studimeve universitare është një ndër arsyet kryesore të këtij orientimi të ri.

Sidomos në degë që shpallen si “prioritare” nga qeveria, si bujqësia apo shkencat natyrore, mungon ajo që ai e quan “cikli i mbyllur i punësimit”, një parakontratë ose garanci e qartë që pas diplomimit studenti do të ketë vend pune.

“Nëse dikush zgjedh një degë të tillë, duhet të ketë sigurinë që pas diplomimit do të punësohet. Kjo do ta rriste ndjeshëm interesin”,  vijon Muça.

Vetëpunësimi në rritje

Shumë të rinj shqiptarë të porsadiplomuar në shkollën e mesme nuk zgjedhin më rrugën klasike të universitetit.

Ata dëshirojnë të ndjekin kurse profesionale dhe të krijojnë kompani të vogla ku më pas punojnë si nënkontraktorë për kompani tradicionale, ose ofrojnë shërbime online në tregun ndërkombëtar.

Në këtë mënyrë, ata përcaktojnë vetë orarin, mënyrën e punës dhe shpeshherë edhe të ardhurat.

“Fleksibiliteti, mundësia për të fituar më shumë dhe pavarësia janë faktorët që e bëjnë këtë qasje shumë tërheqëse për ta”,  shpjegon eksperti.

Punë praktike dhe formim profesional

Sipas të dhënave, rreth 70% e kërkesave për punë në Shqipëri lidhen me punë praktike ose profile që nuk kërkojnë domosdoshmërisht diplomë universitare.

Ekspertët thonë se përvoja merret në vendin e punës, përmes trajnimeve të brendshme, ndërsa profesionet më të kërkuara janë ato të lidhura me zanatet dhe diplomave 2-vjeçare profesionale.

Sipas tyre, nëse kompanitë nuk gjejnë këto profile në vend, shikojnë për t’i kontraktuar në tregun ndërkombëtar.

Tri fushat e studimit me interes të lartë

Me gjithë ndryshimet e kërkesës dhe ofertës në treg, disa fusha studimi vijojnë të mbeten të preferuara nga maturantët shqiptarë.

Ato janë shkencat mjekësore teknike, siç është infermieria, fizioterapia, stomatologjia, farmacia, teknikë laboratori.

Më pas renditen degët e Inxhinierisë, ku teknologjia e informacionit vijon të ketë interes të lartë e më pas degët klasike të inxhinierive si ajo e ndërtimit, komunikimi dhe elektronika.

Edhe degët ekonomike mbeten të preferuara nga maturantët si biznesi, menaxhim, marketing, financë, dhe gjithnjë e më shumë informatika ekonomike dhe biznesi digjital.

“Të rinjtë që zgjedhin të studiojnë sot, orientojnë zgjedhjen e tyre drejt degëve që kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me nevojat e tregut dhe që mundësojnë përfshirjen e teknologjisë dhe inovacionit në punë”, thotë Muça.

Në të kaluarën, një diplomë universitare garantonte status dhe siguri. Sot prioriteti ka ndryshuar. Aftësia, kreativiteti dhe përshtatshmëria me tregun janë më të rëndësishme se një titull akademik.

“Të rinjtë nuk presin më një punë, ata e krijojnë vetë atë. Janë më të vetëdijshëm për vlerën që kanë dhe për hapësirat që mund të shfrytëzojnë” thotë eksperti i punësimit.

Në një treg që evoluon me shpejtësi dhe në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, është e qartë se të rinjtë shqiptarë po e ndjekin ritmin e kohës, duke zgjedhur më shumë liri, më shumë pavarësi dhe më shumë kontroll mbi jetën dhe karrierën e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë