Nga Gazeta ‘Si’ – Ministria e Financave ka njoftuar se prodhimi i pullave fiskale do të nisë në mars të këtij viti, pas shqetësimit të bizneseve se nuk ka më pulla stok.
Qeveria pati njoftuar se nga janari pullat do të prodhohen nga shoqëria aksionare, Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, pas ndërprerjes së kontratës me koncesionari SICPA. Tani MF njofton se nën monitorimin e Shtypshkronjës do të krijohet një tjetër shoqëri me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara.

“Shoqëria e re do të fillojë veprimtarinë gjatë muajit Mars 2025, duke siguruar një sistem të sigurt, si dhe një cilësi të lartë në procesin e prodhimit e kontrollit të pullave fiskale. Ministria e Financave dëshiron të sjellë në vemendje se periudha tranzitore nga përfundimi i kontratës së Koncesionit, deri në fillimin e prodhimit të pullave fiskale nga shoqëria, mbulohet nga neni 109, pika 9, e ligjit “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”, që ka parashikuar të drejtën e përdorimit të pullave të porositura, deri me datë 31 mars 2025”, njofton ministria e Financave.
Gjatë kësaj periudhe bizneset kanë përdorur pullat e blera paraprakisht, por reaguan të shqetësuar se si do të operojnë kur ato të përfundojnë.
Ndërprerja e kontratës ishte “goditja” përfundimtare e qeverisë ndaj SICPA, koncesionarit të pullave fiskale, kontrata e së cilës përfundonte në 2021-shin. Pas kësaj, qeveria e rinovoi atë deri në dhjetor 2023 dhe më pas deri në dhjetor 2024. Tarifat e larta të shoqërisë u bënë shqetësim për biznesin dhe më pas vetë qeverinë, por sipas kontratës, nuk parashikohet mundësia e rishikimit të tarifës, që duket se ka orientuar ministrinë drejt shkëputjes.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



