Nga Elvin Meka – Bursa dhe tregu i kapitaleve në Shqipëri përbën diçka thuajse të panjohur dhe pa ndikim në jetën ekonomike dhe vet ekonominë kombëtare dhe kjo jo pa shkak dhe arsye të qenësishme.
Në fakt, edhe në momentin që po shkruajmë, ende nuk kemi një efekt apo vizibilitet praktik të saj, apo të këtij tregu në ekonomi dhe sistemin financiar. Por kjo do të fillojë shumë shpejt të ndryshojë, nisur nga realizimi, për herë të parë në historinë e financave shqiptare, të ofertës së parë publike të letrave me vlerë nga një sipërmarrje private*. Duke filluar nga muaji qershor 2023 edhe Shqipëria i bashkohet gjithë pjesës tjetër të botës me një bursë dhe treg funksional kapitalesh, pasi obligacionet korporatave të shoqërisë NOA do të listohen dhe tregtohen zyrtarisht në Bursën Shqiptare të Titujve, ALSE.
Ky është një moment historik, madje mund të quhet revolucionar në sistemin financiar shqiptar, pasi asnjëherë në historinë e financave shqiptare nuk ka pasur një emetim publik të letrave me vlerë të korporatave, apo tregtim të tyre në një bursë të organizuar letrash me vlerë, ndërkohë që banking tregtar në territoret shqiptare ka pasur këtu e 135 vjet më parë, kur Banka Agrare Turke hapi veprimtarinë e saj në disa qytete shqiptare, në vitin 1888.
Sigurisht, për të ardhur deri në këtë moment të veçantë historik për sistemin financiar shqiptar është dashur një rrugëtim shumë i gjatë, i mundimshëm dhe me plot ulje-ngritje e problematika, nga më të ndryshmet. Praktikisht, Shqipërisë iu desh plot 27 vjet, që nga hapja për herë të parë e Bursës së Tiranës si departament i Bankës së Shqipërisë, për të arritur deri në listimin dhe tregtimin për herë të parë të një letra me vlerë private në bursë. Bursa e Tiranës, si e para bursë zyrtare ne tregun financiar shqiptar, e mbështetur dhe në pronësi shtetërore të tërthortë (1996-2002), e më pas të drejtpërdrejt (2002-2015), nuk arriti asnjëherë të kthehej në një treg funksional për letrat me vlerë të kapitalit privat, përveç viteve të para të veprimtarisë së saj (1996-1999), ku funksionoi si një treg shumë i cekët dytësor për letrat me vlerë të qeverisë dhe si treg parësor për ankandet e bonove të thesarit (1996-1998), kur funksiononte si pjesë integrale e Bankës së Shqipërisë.
Lista e arsyeve se pse bursa në Shqipëri, e përfaqësuar fillimisht dhe për një kohë të gjatë me Bursën e Tiranës, nuk arriti të zhvillohej si koncept, si institucion dhe si treg, është e gjatë, por arsyeja madhore ishte mungesa e vullnetit politik për të mbështetur dhe ndihmuar aktivisht bursën, për të kthyer atë në një treg real dhe funksional letrash me vlerë në Shqipëri. Kjo mungesë vullneti politik u duk jo vetëm në moslidhjen asnjëherë të Bursës së Tiranës me asnjë lloj procesi privatizimi, por dhe me heqjen sistematike të çdo lloj tregu letrash me vlerë (qeveritare) prej saj, duke ia lënë zhvillimin e saj spontanitetit dhe “forcave të tregut”, të cilat diheshin shumë mirë se në çfarë mjedisi ekonomik, rregullator, institucional, ekspertize profesionale, transparence financiare dhe zbatueshmërie ligjore funksiononin që nga vitet e para të zhvillimit të ekonomisë së tregut e në vijim. Sigurisht, edhe sipërmarrja private e atyre viteve të para as që mund të mendohej që të ishte gati apo të përmbushte kriteret rigoroze të listimit dhe tregtimit në bursë, përtej mungesës totale të një historiku dhe eksperience të mëparshme në këtë drejtim, si dhe nivelit të informalitetit të ekonomisë dhe cilësisë së transparencës financiare të mjedisit të biznesit në tërësi.
Pas një rrugëtimi rreth 20-vjeçar, Bursa e Tiranës u mbyll përfundimisht në vitin 2015, duke shënuar dhe mbyllur kështu një kapitull të pasuksesshëm në zhvillimin institucional të tregut financiar, i shkaktuar thelbësisht prej neglizhencës, mosangazhimit, pavëmendjes dhe mungesës së seriozitetit të qeverive shqiptare në vite, për të kuptuar dhe mbështetur zhvillimin e një segmenti të tillë të industrisë dhe tregut financiar shqiptar.
Vijon…
Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka, dekan pranë Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Univeristetin Europian të Tiranës, UET
*Institucioni financiar jo-bankë NOA është shoqëria e parë aksionare private në Shqipëri që ka emetuar, në muajin maj 2023, të parën ofertë publike të obligacioneve të saj korporative, për një sasi 500 milionë lekë, me kupon 8%, për një afat maturimi 8-vjeçar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.