Jete & Stil

Pse vazhdojmë të dalim në takime me njerëz që i ngjajnë ish-partnerit tonë

Ish-ët ndajnë ngjashmëri unike me partnerët aktualë, ndërsa historiku ynë i takimeve mund të përdoret edhe për të përcaktuar se sa tërheqës jemi.

Studimet kanë treguar se numri i ish-partnerëve ka rëndësi. Të mos kenë pasur asnjë partner\e është një paralajmërim. Ndërkohë të pasurit shumë partner/e në të kaluarën është një ‘red flag’. Duket se numri ideal i ish-partnerëve është 1 ose 2.

Gjithashtu meshkujt janë më tërheqës nëse më parë kanë pasur një lidhje të gjatë.

Nëse një djalë ka pasur vetëm një lidhje por ka qenë e gjatë, shihet si një person që ka diçka tërheqëse përderisa i ka zgjatur një lidhje aq shumë.

Pse na intereson historiku i takimeve të dikujt? A zbulon në të vërtetë ndonjë gjë të rëndësishme? Dhe çfarë e bën një mashkull më pak tërheqës kur ka shumë ish partnere?

Ndarja me partnerë të shumtë mund të çojë në një ulje të përkushtimit të njerëzve për marrëdhëniet e ardhshme, kështu që ndoshta ka një arsye të mirë për të qenë të kujdesshëm ndaj një mashkulli me shumë ish. Një ide është se stresi emocional i një ndarjeje nuk na lë kurrë. Ne i bartim ato ndjenja negative në marrëdhëniet tona të ardhshme dhe mund të jemi të kujdesshëm gjatë përkushtimit ndaj partnerëve të ardhshëm, sepse na kujtohet lëndimi i së kaluarës.

Por ‘bagazhi’ i një ndarjeje mund të zbutet pak nëse ka pasur një arsye të mirë për t’i dhënë fund marrëdhënies. Sa më e fortë të jetë arsyeja e ndarjes, aq më lehtë kalon ndarja.

“Historiku i takimeve të dikujt mund të jetë një mënyrë e shpejtë, edhe pse disi paragjykuese për të vlerësuar përvojën e tyre në dashuri pa pasur nevojë të shpenzojmë kohë për t’i njohur dikë”, thotë Ryan Anderson, psikolog në Universitetin Monash në Australi.

Të jesh në gjendje të bësh një vlerësim të shpejtë të dikujt pa bërë takime është veçanërisht e dobishme për femrat heteroseksuale. Psikologjia evolucionare tregon që gratë investojnë më shumë në rritjen e një fëmije dhe për këtë arsye mund të jenë më përzgjedhëse se burrat kur bëhet fjalë për partnerët.

“Burrat mund të dëshirojnë një partnere femër të gatshme për t’u përkushtuar por përsëri femrat janë ato që e duan më shumë përkushtimin e partnerëve”, thotë Anderson.

Megjithëse ai thekson se gratë që janë më të interesuara për marrëdhëniet afatshkurtra mund të mos tërhiqen nga burrat e përkushtuar.

Gjykimi i përshtatshmërisë së një partneri të mundshëm bazuar në ish-et e tyre quhet “kopjimi i bashkëshortit”. Nëse disa gra e kanë gjetur një mashkull tërheqës, të tjerat do ta kopjojnë këtë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për gratë që kanë nivele më të ulëta të besimit në marrëdhënie.

Nëse një burrë me përvojë afatgjatë në marrëdhënie është më tërheqës, disa studiues kanë sugjeruar që meshkujt që janë aktualisht në marrëdhënie afatgjata mund të jenë gjithashtu më tërheqës. Nga kjo rezulton se burrat e martuar janë më tërheqës se beqarët.

Ndërsa një pjesë e vogël e studimeve kanë treguar që femrat i shohin fotot e meshkujve të martuar më tërheqëse sesa beqarët, në studimet më realiste që përfshijnë ndërveprime në jetën reale, efekti duket se zhduket. Mund të jetë rasti që në letër një burrë në një lidhje afatgjatë konsiderohet se ka cilësi më të mira, por në praktikë kjo nuk e bën një grua të tërhiqet nga ai, sepse ai është i paarritshëm. Ndikimet sociale, si tabuja dhe rreziqet e lidhjeve jashtëmartesore, mund të luajnë një rol në uljen e tërheqjes.

Për disa njerëz, të qenit në një lidhje i bën ata të ndihen më mirë për veten e tyre dhe kjo quhet vetëvlerësim i kushtëzuar nga marrëdhëniet (RCSE). Por nëse njerëzit me RCSE të lartë mbajnë kontakte me një ish, kjo mund të dëmtojë marrëdhënien e tyre aktuale. Ata mund të mos ndahen me partnerin aktual, por kjo mund t’i bëjë ata të vlerësojnë më pak marrëdhënien e tyre aktuale.

“Ndoshta një arsye që disa njerëz mund të mbajnë ende një ‘shkëndijë’ për ish-partnerin e tyre është se ata priren të kenë personalitete të ngjashme me partnerin e tyre aktual”, thotë Yoobin Park,  studiues.

Duket paksa e çuditshme që preferojmë partnerë që janë si ish-të tanë, në fund të fundit, duhet të ketë pasur një arsye për ndarjen. Park shikoi personalitetet e ish-eve dhe partnerëve aktualë të 12,000 njerëzve gjatë nëntë viteve, të cilët u pyetën pas ndarjeve dhe romancave të reja.

Një arsye pse ish-ët tanë mund të jenë të ngjashëm me partnerët tanë të rinj është thjesht se ne i zgjedhim partnerët tanë nga një grup i ngjashëm. Ata mund të jenë kolegë, miq universiteti ose njerëz nga e njëjta fe, kështu që ka të ngjarë që ata të kenë një nivel të ngjashëm arsimimi, pikëpamje politike ose personaliteti.

Në studimin e Park, i dashuri, ish-i dhe partneri aktual i pjesëmarrësve shënuan të gjithë njësoj në një test personaliteti, duke mbështetur idenë se ne zgjedhim njerëz si ne, ndoshta sepse zgjedhim njerëz nga një grup i ngjashëm. Megjithatë, kishte gjithashtu një nivel të konsiderueshëm të “ngjashmërisë së veçantë të partnerit”, që do të thotë se profili unik i personaliteteve të ish-partnerit dhe partnerit aktual gjithashtu përputhej.

Nëse priremi të dalim me njerëz që janë të ngjashëm në personalitet, a jemi të ‘dënuar’ të bëjmë të njëjtat gabime me partnerë të rinj? Mundësisht. Marrëdhëniet priren të kenë njëfarë ngjashmërie, për shembull, numri i mosmarrëveshjeve, që është në përputhje me hulumtimin e Park në kuptimin që nëse jeni në lidhje me një partner të ngjashëm, do të hasni në ulje-ngritje të ngjashme.

Fantazmat e ish-ëve të së kaluarës mund të qëndrojnë edhe në mënyra të tjera. Njerëzit mendojnë se shija e tyre për partnerët ndryshon me kalimin e kohës. Por mund të ndodhë që shija jonë të ndryshojë vetëm pas një ndarjeje. Kur çiftet mbeten në të njëjtën marrëdhënie, përshkrimet e tyre për partnerin e tyre “ideal” mbeten të njëjta. Por në një studim të çifteve të martuar që janë divorcuar dhe rimartuar, përshkrimet e tyre për partnerin e tyre ideal ndryshuan.

Park ka një sugjerim se pse ndarjet janë katalizatori për një ndryshim në partnerin ideal: ndërsa në një marrëdhënie jemi të motivuar të “kemi një ndjenjë bindjeje” për zgjedhjen tonë të partnerit, një ndarje është koha e duhur për një rivlerësim.

Por vetëm për shkak se shijet tona kanë ndryshuar, a do të thotë kjo që në të vërtetë përfundojmë me njerëz të ndryshëm? Ndoshta jo, thotë Park. Megjithëse mund të kemi një partner të ri “ideal” në kokën tonë, mund të mos arrijmë ta gjejmë atë dhe mund të përfundojmë gjithsesi me dikë të ngjashëm me ish-in tonë.

“Edhe ideja e “takimit” është paksa jashtë modës për të rinjtë, të cilët në vend të kësaj lidhen ose shoqërohen”, thotë Jessica Siebenbruner, pedagoge në Universitetin Shtetëror Winona, SHBA. Sipas Sarah Halpern-Meekin, sociologe nga Universiteti i Wisconsin-Madison në SHBA, linja midis një partneri aktual, ish-i dhe një partneri të ardhshëm është shumë më e paqartë se kurrë. Për këtë arsye, llogaritja e numrit të ish-ve që dikush ka është e ndërlikuar.

Park ka disa këshilla për dikë që përpiqet të vlerësojë një partner të mundshme.

“Para se të nxitoni për një marrëdhënie tjetër, ia vlen të reflektoni se çfarë lloj partneri keni qenë në marrëdhënien e mëparshme”, thotë ajo.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë