Kuriozitete

Pse themi gënjeshtra (madje edhe vetes)?

Nga Gazeta Si- Cila mund të konsiderohet një gënjeshtër e përsosur? Ajo duhet të jetë e bazuar tek fakte të vërteta, të jetë e qartë dhe e thjeshtë për t’u kuptuar, dhe të ndihmojë në krijimin e një tabloje të besueshme. Po ashtu duhet thënë personalisht, mundësisht të njohurve dhe miqve.

Një nga studimet më të rëndësishme të kohëve të fundit mbi gënjeshtrat, ka zbuluar se cilët janë gënjeshtarët “profesionistë”, dhe si ata arrijnë të mashtrojnë të tjerët. Brianna Verigin dhe Ewout Meijer nga Universiteti i Mastrihtit në Holandë, morën në studim 194 njerëz, disa prej të cilëve e deklaruan veten si gënjeshtarë të shkëlqyer.

“Ndonjëherë edhe në studimet shkencore, lexojmë që secili prej nesh gënjen rreth 1 ose 2 herë në ditë. Por kjo mesatare nuk është e saktë. Sepse shumica e gënjeshtrave, thuhen nga pak individë, dhe konkretisht në studimin tonë nga 40 për qind e njerëzve”, thotë Verigin.

Edhe pse herë pas here të gjithë nuk mund t’i shmangin dot disa gënjeshtra, ka disa që janë “gënjeshtarë me damkë”. Strategjia më e përdorur nga ata që në studimin e Verigin dhe Meijer, e pranuan se gënjejnë, ishte fshehja e qëllimshme e disa informacioneve.

Por gënjeshtarët ekspertë, i kanë shtuar kësaj edhe aftësinë për të krijuar një “histori të besueshme, të zbukuruar me disa fakte të vërteta”, duke e bërë më të vështirë zbulimin e gënjeshtrave. Tek e fundit sipas përkufizimit, një gënjeshtër është “një deklaratë e rreme e thënë për të mashtruar të tjerët, zakonisht për të mirën e dikujt”.

Prandaj është një veprim i ndërgjegjshëm: ata që gënjejnë e kanë një alternativë, por zgjedhin qëllimisht të mos e përdorin atë. Prandaj të thuash një gënjeshtër konsiderohet një veprim i gabuar. Atëherë, pse gënjejmë herë pas here? Kjo ndodh sepse e kemi të nevojshme të “shkëlqejmë” mbi të tjerët.

Sipas antropologëve, ajo që na nxit të gënjejmë është pikërisht e ashtuquajtura inteligjencë makiaveliste, pra aftësia për të menduar një strategji mashtruese që mund të sjellë avantazhe. Madje është hipotekuar, se nevoja për të gënjyer anëtarët e tjerë të grupit e për të qenë i pari në diçka, ishte një nga forcat lëvizëse që na lejoi të zhvillonim inteligjencën.

Të fitosh me dinakëri, është një mënyrë e shkëlqyer për të shmangur një konflikt të hapur. Disa studime tregojnë se gënjeshtarët e mirë e kanë më të lehtë të gjejnë një punë por edhe partner. Dhe pak e shumë, këtë e bëjmë të gjithë dhe gjithmonë, madje edhe kur nuk është e nevojshme.

Në një eksperiment të famshëm, të kryer rreth 20 vjet më parë nga psikologu Robert Feldman nga Universiteti i Masaçusetsit në SHBA, disa studentëve iu kërkua të bisedonin me një të huaj për 10 minuta. Bisedat u filmuan fshehurazi, dhe më pas u rishikuan për të numëruar gënjeshtrat e thëna.

U zbulua se rreth 60 për qind e pjesëmarrësve, kishte gënjyer të paktën një herë, dhe gënjeshtrat varionin nga ekzagjerimet e qëllimshme, deri tek informacionet tërësisht të rreme.

Për më tepër, u pa se meshkujt dhe femrat gënjejnë me të njëjtën frekuencë. Në fund të fundit, ne i konsiderojmë praktikisht të pashmangshme gënjeshtrat për t’u “vetë-promovuar”, si për shembull mbi ato që thuhen në punë. Ose kur takojmë një partner të mundshëm, mund t’i themi:”Po, kjo është ngjyra ime e vërtetë e flokëve!”, kur në fakt nuk është kështu.

Kësisoj, gënjeshtra të tilla na duken të nevojshme, sidomos kur njohim njerëz të rinj. Dje kjo gjë nuk është për t’u habitur, duke qenë se njeriu mëson të gënjejë “për mirë” që në fëmijëri (‘Mos i thuaj Marios se është obez”, “Thuaji tezes se të pëlqen këmisha, që ta ka blerë si dhuratë”).

Por ne nuk gënjejmë vetëm të tjerët. Ne të gjithë gënjejmë edhe veten tonë. Shumë studime vërtetojnë se mesatarisht njerëzit besojnë se janë më të mirë nga sa janë vërtet, veçanërisht në lidhje me cilësitë e tyre morale (bujarinë, altruizmin etj).

Neuroshkencëtari i famshëm amerikan Michael Gazzaniga, thotë se avantazhi evolucionar i vetë-mashtrimit, qëndron në faktin që nëse nuk jeni të vetëdijshëm se po gënjeni, nuk mund ta tradhtoni veten me zërin ose shprehjet e fytyrës, duke shmangur frikën nga zbulimi i mashtrimit.

Ndër të tjera, të gënjyerit e vetes, na bën të dukemi më mirë në sytë tanë. Këtë e tregoi Dan Batson nga Universiteti i Kansasit me një eksperiment (të përsëritur disa herë me të njëjtat rezultate nga studiues të ndryshëm në mbarë botën).

Ai nxiti një grup studentësh të besonin se duhej t’i caktonin vetes një detyrë, dhe një detyrë tjetër një studenti të panjohur, i cili nuk do ta dinte se për kë ishte. Njëra detyrë u përshkrua si e mërzitshme, ndërsa për tjetrën do të fitohej në këmbim një biletë lotarie. Nxënësve iu dha edhe një monedhë, me të cilën mund të hidhnin short midis dy detyrave (por kjo nuk ishte e detyrueshme).

Surpriza: edhe midis atyre që zgjodhën të hidhnin short, kishte shumë të tjerë që i caktuan vetes detyrën më të thjeshtë dhe me çmimin përfundimtar, pavarësisht rezultatit që dilte në monedhë. Pra ata ndiheshin të ndershëm, vetëm se e kishin hedhur monedhën edhe nëse nuk e respektonin verdiktin e shortit.

Por njerëzit mashtrojnë veten edhe mbi aftësinë e tyre për të demaskuar ata që gënjejnë, pra besojnë se janë mjaft të aftë. Gjithsesi, studimet kanë treguar se mesatarisht ne nuk jemi shumë të mirë për të kuptuar se kush gënjen dhe kush jo. Zakonisht niveli i suksesit është i njëjtë me hamendësimin.

Edhe detektivët nuk janë shumë më të aftë në dallimin e një gënjeshtari nga njerëzit e tjerë. Sipas disa statistikave në SHBA, aftësia e detektivëve të policisë për të demaskuar një fajtor varion midis 45-60 për qind, me një mesatare prej vetëm 54 për qind. Ka edhe njerëz me aftësi të shkëlqyera në nuhatjen e gënjeshtrës, por kjo është një cilësi shumë e rrallë.

Kështu nga 12.000 njerëz të ekzaminuar nga neuroshkencëtari Paul Ekman i Universitetit të Kalifornisë, vetëm 20 ishin “demaskues” shumë të aftë. Ndoshta sepse ata mund të ishin në gjendje të zbulonin instinktivisht ndryshime delikate në shprehjet e fytyrës dhe sytë e gënjeshtarëve. Për shembull, vitin e kaluar një ekip shkencëtarësh zbuluan ata që thoshin gënjeshtra përmes lëvizjes së syve.

Rezultati: gënjeshtarët i kishin bebet e syrit më të ngushta, ata shihnin më gjatë në një pikë të caktuar, para se ta zhvendosnin shikimin dikur tjetër. Dhe sytë e tyre endeshin sa andej-këtej më shume se sa ata që thoshin të vërtetën. Nga ana tjetër nuk kishte rëndësi se sa herë pulitnin sytë.

Me të dhëna kaq të nuancuara, nuk është për t’u habitur që nuk është aspak e lehtë të zbulosh një gënjeshtar, sidomos në disa situata. Si për shembull, një marrëdhënie romantike. Studimet e tregojnë qartë se më syleshët nga të gjithë janë të dashuruarit. Shkencëtarët në Universitetin e Mynihut në Gjermani, e zbuluan këtë disa vite më parë.

Duke i injektuar oksitocinë (hormoni që prodhohet në sasi të mëdha kur ndërtohet një marrëdhënie intime e qëndrueshme) një grupi vullnetarësh meshkuj dhe femra, ata panë se pasi ata dëgjuan në një ekran disa aktorë që thoshin gënjeshtra, burrat i dalluan më shumë gënjeshtrat aktoreve gra dhe më pak të burrave, ndërsa për vullnetaret gra ndodhi e kundërta.

Por pse nuk jemi shumë të aftë në zbulimin e gënjeshtrave? Antropologët thonë se ndoshta kjo ndodh sepse paraardhësit tanë jetonin në grupe të vogla, ku ishte relativisht e lehtë të kuptohej mashtrimi nga sjellja e të tjerëve. Tani që jetojmë pas dyerve të mbyllura dhe në komunitete shumë më të mëdha, mashtrimi është bërë shumë më i lehtë.

Burimi: Focus. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë