Art dhe Kulture

Pse të studiosh artet mbetet një ‘bast’ për të rinjtë shqiptarë

Nga Liridon Mulaj- Në galerinë e prezantimit të degës së multimedias, të bie në sy një instalacion i  përbërë nga dy tryeza ku në njërën prej tyre janë vendosur në mënyrë të çrregullt disa enë, ndërsa në tjetrën disa objekte të paidentifikueshme në pamje të parë. Dhe pas dy tryezave, një pamje që del nga projektori ndriçon të gjithë sipërfaqen e murit në atë sallë të errët.

I gjithë instalacioni është puna e diplomës e studentes Hajrie Dedej e cila për GazetaSi.al rrëfen konceptin e punës së saj. Ajo thotë se gjithçka sillet rreth kujtesës dhe harresës dhe efekteve të këtyre dy elementëve brenda nesh.

“Puna ime e diplomës me titull “Një trup, shumë forma” përfaqëson një zhytje të thellë në ndjeshmërinë personale, përmes tre veprash që flasin jo me fjalë por me tensionet e trupit, objekteve  dhe  materialeve të harruara. Përmes video artit dhe dy instalacioneve, përpiqem të shpreh një ndërthurje mes së mbrendshmes dhe së jashtmes, mes kontrollit dhe dorëzimit, mes kujtesës dhe harresës.

Vepra ime nuk është thjesht një shfaqje vizuale por një përvojë që vjen nga lëkura, nga materiali. Ajo është një lutje e qetë, një shpërthim i heshtur, një kërkim i vazhdueshëm për kuptim në një botë që rrallë të dëgjon.

Të treja veprat e ndërtuara në këtë cikël, janë ndërtuar mbi materialitetin dhe gjestin e asaj që është e pakapshme përmes fjalës, vetë ndjesia” thotë Dedej.

Dhe duke hyrë në detaje, ajo shpjegon secilën punë, duke dashur të jetë sa më konkrete. Gjithçka sipas saj lidhet më dhunën ndaj kujtesës njerëzore.

“Një laptop i prishur është bërë trup për një gjest tjetër. Fijet e leshit kalojnë nëpër ekraninn e shpuar, duke krijuar një përzierje të dhunës ndaj teknologjisë dhe kujtesës njerëzore. Kemi një përplasje midis njeriut dhe teknologjisë, midis ndjenjës dhe ftohtësisë algoritmike.

Ekrani i thyer është një portal, një plagë, një dritare përmes së cilës kalon ç’do gjë që nuk mund të shprehet në tastierë.

Ndërkohë zhvendoset vështrimi nga materiali teknologjik në mjetin shtëpiak.

Tre tenxhere me tre garuzhde në brendësi, e veçanta është se garuzhdet lëvizin dhe rrotullohen vetë, pra nuk ka një figurë njerëzore që i trazon. Objekti përfshihet në një ritual absurd dhe të pavarur, pa rregull, pa fillim e pa fund.

Ky instalacion është një homazh për ritualin e përditshëm të kujtesës dhe feminitetit. Një kujtim i grave që kanë gatuar, shërbyer, heshtur. Një perballje e butë me historinë e tyre, ku unë përpiqem ti jap zë një veprimi të harruar” shpjegon studentja.

Hajrie Dedej, shpjegon edhe arsyen pse zgjodhi të studionte multimedia, një degë e cila gjen pak vend në Shqipëri, ndryshe nga bota ku tashmë është një art mirëfilli i aplikuar por dhe i kërkuar.

“Të them të vërtetën në fillim nuk kishte ndonjë arsye specifike. Vij nga një gjimnaz i përgjithshëm në Durrës dhe e vetmja gjë që bëja atëherë ishte piktura dhe poezi. Dëshira ime më e madhe ishte të bëhesha psikologe klinike.

Familja dhe të afërmit më inkurajuan të hyja në konkursin e “ Universitetit të Arteve” dhe e provova. Aplikova për tekstil dhe multimedia, tekstilin e njihja disi pasi kam punuar dhe që e vogël kam qëndruar shumë në rrobaqepësi. Për sa i përket multimedias, nuk ia kisha idenë se çfarë ishte. Portreti që bëra në konkurs ishte i tëri i rrjepur nga lekura dhe kishte shumë gjak dhe histori në të. Mendoj që kjo gjë bëri që komisioni të mendonte se jam më e përshtatshme për atelierin e multimedias prandaj dhe sot gjej mundësinë që ti falenderoj”  thotë ajo.

Dedej thekson së nëpërmjet artit konceptual ajo ka arritur të njohë më mirë veten.

“ Duke zgjedhur artin konceptual kuptova që mund të njoh më mirë veten dhe në njëfarë mënyre të bëj dhe eksperimente sociale duke parë reagimet e shikuesit, pra lidhja me psikologjinë vazhdon akoma dhe unë jam në eksperiment të vazhdueshem me veten dhe të tjerët”

Dhe shton se nuk ka si qëllim që nëpërmjet artit të saj të jetë një heroinë por dikush që përpiqet sapak të ndryshojë jetën e njerëzve për mirë.

“Unë nuk synoj të jem një heroinë, do të doja shumë të lija gjurmë dhe të ndryshoja jetët e njerëzve për mirë por nuk jam akoma në atë fazë.

Hajrie Dedej

Jam akoma në eksperimentin dhe më pas kuptimin e mendimeve të njerëzve dhe të kësaj bote që për momentin më duket  sa konfuze aq edhe absurde, sikur e ka humbur atë shijen e vertetë të jetës. Dua që veprat e mia të bëhen pasqyra ku tjetri sheh veten, madje dhe kur nuk ka deshirë”

Ne fund Dedej ka dhe një mendim për artin kontemporan dhe hapësirën që u jepet të rinjve  në Shqipëri.

Ka shumë artistë të rinj që po provojnë në këtë lloj fushe, megjithëse ndonjëherë  dyshoj në vërtetësinë e tyre, ndonjëherë  më duket më shumë si influencë e keqe  apo përpjekje  për vëmendje por megjithatë është gjë e mirë pasi ka më shumë dinamikë.

Mendoj që Shqipëria ka artistë shumë të mirë, ka mjaftueshëm potencial por shpesh mungon hapësira për tu dëgjuar, ka shumë aktivitete mbi artistët e rinj  por sërisht vëmendja bie tek ata artistë që e kanë  ndërtuar  tashmë identitetin e tyre dhe jo tek promovimi i të rinjëve dhe mendoj që vlerësimi për këta të fundit është minimal, duke bërë që të ndjehen shpesh herë të pamotivuar dhe në tentativë për të hequr dorë, ose duke tentuar jo më në atdheun e tyre por jashtë kufinjëve” përfundon Dedej

Enerest Dalipaj:  Të rinjtë duhet të kenë guximin të ndërtojnë një teatër që flet për të sotmen.

Ndërkohë një tjetër degë e cila po prezanton punët e diplomës është regjia e teatrit. Në sallën e Black Box, thuajse çdo ditë jepet nga një shfaqje, ku studentët e regjisë prezantojnë temat e tyre të diplomës. Enerest  Dalipaj është një nga studentët e diplomuar i cili si temë diplomë ka zgjedhur dramën me titull “ Djemtë gazmorë” nga Neil Simons.

Ai rrëfen për GazetaSi.al se si regjisor i ri ka ende më shumë hapësirë për zhvillim të teatrit. Ndoshta me një prani më të madhe të të rinjve në teatër.

“ Si nje regjisor i  sapodiplomuar, ndjej që ka ende shumë hapësirë për zhvillim dhe rigjallërim. Publiku i ri shpesh është i larguar nga teatri, ndoshta nga mungesa e qasjes moderne apo mungesa e përmbajtjes që lidhet me realitetin e tyre. Mendoj se është koha që teatri shqiptar të rishikojë gjuhën e tij shprehëse, të eksperimentojë më shumë, të përfshijë teknologji dhe forma të reja të komunikimit vizual dhe emocional.

Po ashtu, është e rëndësishme të krijohen më shumë hapësira për krijuesit e rinj, që të mos ndihen të detyruar të përshtaten me modele të vjetra, por të kenë guximin të ndërtojnë një teatër që flet për sot.

Në thelb, unë e shoh teatrin shqiptar si një trup të gjallë, që ka nevojë për kujdes, për frymë të re dhe për më shumë komunikim me publikun” thotë Dalipaj.

Enerest Dalipaj

Ai flet gjithashtu dhe për të ardhmen e tij si regjisor, mes punës dhe pasionit të cilat tejkalojnë çdo pengesë.

“Një nga pyetje që çdo si sapo diplomuar e ka të vështirë të përgjigjet pasi e ardhmja në fushën e artit është pak e vështirë sepse sapo del nga shkolla të krijohet një labirinth që është pak  vështirë ti gjesh rrugëdaljen . Por nëqoftëse ke guxim dhe nuk lodhesh asnjëherë duke punuar atëherë do të vij mundësia që çdo student vuan ta ketë”

Duke pasë parasysh se profesioni i artistit në Shqipëri mbetet ende një hapësirë e madhe dhe pa mundësi financiare, të rinjtë të cilët kanë zgjedhur dhe vazhdojnë të zgjedhin artin si burim jetese, janë mbase edhe me idealistët ndër ne, sepse të besosh të jetosh me art më shumë se sa një bast është një sakrificë, të cilën Hajria dhe Erenesti, e kanë ndërmarrë fundja për të çuar përpara secili prej tyre një traditë si teatri por dhe një art të ri si multimedia, gjini e re por me probleme të njëjta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë